Rritja e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Poloni, DHTIT pret në takim të ngarkuarin me punë pranë ambasadës polake, z. Wojciech Unolt
Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, znj.Albana Laknori priti në një takim zyrtar të ngarkuarin me punë pranë Ambasadës së Polonisë, z. Wojciech Unolt dhe znj. Agata Koziej Fraczkiewicz, specialisten e ekonomisë dhe ndihmave për zhvillim.
Fokusi i takimit ishte gjetja urave të bashkëpunimit mes sipërmarrjes së 2 vendeve.
Në fjalën e saj, znj. Laknori theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, për të organizuar takime B2B, forume biznesi dhe aktivitete të përbashkëta ekonomike, me synimin për të afruar më shumë komunitetet e biznesit të të dy vendeve. Ajo vuri në dukje se një bashkëpunim më i ngushtë mes bizneseve shqiptare dhe polake do të sillte përfitime të ndërsjella, duke nxitur rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.
Nga ana tjetër, duke iu referuar të dhënave zyrtare, z. Wojciech Unolt vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Polonisë nuk është ende në nivelet e dëshiruara. Për këtë arsye, ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Ambasadës së Polonisë për të bashkëpunuar ngushtë me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, me qëllim krijimin e mundësive konkrete për ndërveprim dhe shkëmbim mes sipërmarrjeve të të dy vendeve.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Polonisë, duke krijuar bazat për bashkëpunime të qëndrueshme dhe afatgjata.