“Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik”, z.Jaka pret në takim ambasadorin e Indisë, z. Ravindra Prasad Jaiswal
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), z. Nikolin Jaka, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Indisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Ravindra Prasad Jaiswal.
Në këtë takim, u theksua rëndësia e ndërtimit të urave të qëndrueshme bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Indisë, si dhe potenciali për të rritur shkëmbimet tregtare dhe investimet dypalëshe.
Z. Jaka dhe Ambasadori Jaiswal nënvizuan njëzëri nevojën për të afruar komunitetet e biznesit të të dy vendeve përmes organizimit të forumeve ekonomike, panaireve ndërkombëtare dhe takimeve B2B, me qëllim konkretizimin e bashkëpunimeve përmes nënshkrimit të kontratave dhe marrëveshjeve bilaterale.

Në këtë kuadër, kryetari i DHTIT, z. Nikolin Jaka, shprehu angazhimin dhe gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të bashkëpunuar ngushtë, me fokus zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare. Për këtë qëllim, DHTIT ka edhe përfaqësuesin e saj në New Delhi, z. Umesh Sajdev.
Ghithashtu, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm ndaj forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Indinë, DHTIT ka qenë pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar të kryesuar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, në forumin e biznesit të zhvilluar në New Delhi në shkurt të 2024.
Nga ana tjetër, Ambasadori i Indisë, Sh.T. z. Ravindra Prasad Jaiswal, paraqiti ftesën për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë që të marrë pjesë me një delegacion biznesi në panairet dhe ekspozitat ndërkombëtare që organizohen në Indi, duke vlerësuar këtë si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar kompanitë shqiptare dhe për të eksploruar tregun indian.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Indisë, dhe hap perspektiva të reja për bizneset shqiptare në tregje të reja ndërkombëtare.