Organizohet në Kuvajt forum biznesi Shqipëri-Kuvajt! Fokusi, forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe mundësitë për investime

Organizohet në Kuvajt forum biznesi Shqipëri-Kuvajt! Fokusi, forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe mundësitë për investime

Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Kuvajtit u zhvillua një forum biznesi Shqipëri-Kuvajt, ku delegacioni shqiptar u udhëhoq nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Z. Nikolin Jaka dhe z. Endrit Yzeiraj, zv. Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropës, në prani të ambasadorit shqiptar në Kuvajt, Shkëlqesisë së Tij, Z. Ilir Hysa.

Pjesë e delegacionit nga Shqipëria ishin edhe përfaqësues të lartë nga qeveria, përfshirë Znj. Dilfirus Vrioni nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Z. Julian Adili nga Korporata Shqiptare e Investimeve, Z. Dritan Delia nga “The Technical and Economic Development Area” (TEDA), si edhe përfaqësues të kompanive shqiptare me potenciale për eksport.

Ky forum i rëndësishëm mblodhi 22 kompani shqiptare dhe 45 sipërmarrës nga Katari nga sektorë të ndryshëm, përfshirë industrinë e hekurit, prodhimin e kafesë, të energjisë diellore, industrinë e aluminit, tekstilet etj. Qëllimi kryesor ishte diskutimi i mundësive për forcimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, shfaqja e mundësive për investime në fusha të ndryshme dhe krijimi i partneriteteve të reja tregtare.

Dhoma e Tregtisë së Kuvajtit shtoi se ky forum ka ardhur në një kohë të përshtatshme, pasi Kuvajti është angazhuar të rrisë dhe diversifikojë ekonominë e tij, duke i dhënë një rol kyç sektorit privat në realizimin e vizionit të tij të ardhshëm.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Z. Nikolin Jaka, falënderoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit për organizimin e këtij forumi, duke theksuar se numri i madh i pjesëmarrësve nga Shqipëria është një dëshmi e rëndësisë që ka Kuvajti dhe bizneset e Kuvajtit si investitorë. Jaka theksoi se Shqipëria ka sektorë të rëndësishëm për investime të huaja, veçanërisht nga Kuvajti apo Katari, si pasuritë e patundshme, turizmi, bujqësia, IT si energjia etj.

Për më tepër, gjatë këtij takimi, institucionet shqiptare, mes tyre Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropës, AIDA, TEDA, AIC paraqitën një prezantim mbi hapat dhe lehtësirat që ofron qeveria shqiptare për investitorët, duke theksuar se Shqipëria është angazhuar për të hequr të gjitha pengesat dhe vështirësitë për investitorët ndërkombëtarë.

Share this post