Nënshkruhet marrëveshja historike! 5 institucione shqiptare të biznesit në rajon bëhen bashkë për integrim rajonal

Nënshkruhet marrëveshja historike! 5 institucione shqiptare të biznesit në rajon bëhen bashkë për integrim rajonal

Një marrëveshje historike bashkëpunimi ekonomik u nënshkrua mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut – Perëndimor, Unionit të Afaristëve “Vizioni–PMB” dhe Forumit të Bizneseve Ulqin, duke shënuar një moment të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mbarëkombëtar dhe rajonal. Ky akt përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një hapësire të përbashkët ekonomike mes bizneseve shqiptare në rajon.

Në këtë kuadër, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, theksoi se marrëveshja përfaqëson “një moment historik për biznesin shqiptar dhe një energji të re ekonomike për Ballkanin Perëndimor”, duke nënvizuar se bashkëpunimi nuk është më një alternativë, por një domosdoshmëri strategjike, veçanërisht në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në vijim, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, z. Agim Shahini, e cilësoi këtë marrëveshje si një hap historik që bashkon për herë të parë në mënyrë të strukturuar komunitetet e biznesit nga të gjitha trevat shqiptare, duke krijuar ura bashkëpunimi afatgjata mes tregjeve dhe sipërmarrësve. Ai bëri thirrje që të njëjtën rrugë të ndjekë edhe politika.

Foto nga firmëtarët e memorandumit

Duke ndarë të njëjtin vizion, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut – Perëndimor, z. Nuhi Aliu, theksoi se kjo marrëveshje hap një kapitull të ri për bashkëpunimin kombëtar ekonomik dhe zhvillimin e përbashkët, duke rritur gatishmërinë për projekte të përbashkëta dhe iniciativa konkrete.

Po ashtu, Kryetari i Unionit të Bizneseve të Luginës së Preshevës, z. Xhelal Mehmeti, e cilësoi këtë akt si realizimin e një vizioni të kahershëm për ndërtimin e një tregu ekonomik mbarëkombëtar, ku bizneset shqiptare bashkëveprojnë si një forcë e vetme.

Në thelb, kjo marrëveshje historike synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e shkëmbimeve tregtare, bashkimin e kapaciteteve intelektuale dhe kapitale, si dhe krijimin e një platforme të përbashkët që përshpejton integrimin drejt ekonomisë së lirë të Bashkimit Europian.

Për këtë arsye, të gjithë përfaqësuesit e pranishëm u angazhuan që marrëveshja të mos mbetet simbolike apo formale, por të shndërrohet në veprime konkrete dhe projekte të prekshme në shërbim të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të rajonit.

Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarë të Bordit të Forumit Mbarëshqiptar: z. Nebi Hoxha, z. Nagip Fejzi, z.Mendi Qyra, z.Besim Beqaj, z.Gjokë Uldedaj, z.Vullnet Haka, si dhe znj. Lumnije Ajdini nga AKB.

Anëtarët e Bordit të Forumit Mbarëshqiptar

Share this post


Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.