Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Turqi! Z. Jaka: Bashkëpunimin ekonomik duhet ta ngremë në nivelin e marrëdhënieve politike

Në Tiranë u mbajt forumi i biznesit Shqipëri–Turqi, një ngjarje e rëndësishme që bashkoi 17 biznese turke dhe rreth 50 kompani shqiptare, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe eksplorimin e mundësive të reja për investime dhe tregti ndërmjet dy vendeve.
Ky event i rëndësishëm u organizua nën kujdesin e Ministrisë Turke të Tregtisë, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shoqatën e Eksportuesve të Anadollit Lindor (DAİB) dhe MÜSİAD, mbështetur nga ambasada e Turqisë në Tiranë.
Të pranishëm ishin, Z. Ervin Hoxha, Ministër i Brendshëm i Shqipërisë, z.Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë; Sh.T. Z. Tayyar Kağan ATAY, Ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë; z. Ethem Tanriver, President i Shoqatës së Eksportuesve të Anadollit Lindor (DAİB); z. Muhammet İŞLER, President i MÜSİAD Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka, vuri theksin te domosdoshmëria për ta reflektuar nivelin e lartë të marrëdhënieve politike edhe në aspektin ekonomik.
“Vërtet Turqia është një ndër parterët strategjikë të Shqipërisë në këmbimet ekonomike dhe tregtare, por po të shohim marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve tona, jam i bindur që ne akoma nuk kemi arritur në atë nivel në aspektin e marrëdhënieve ekonomike”, theksoi Jaka.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, z. Ervin Hoxha, në fjalën e tij përshëndetëse garantoi mbështetjen e plotë të qeverisë për bizneset e huaja, duke theksuar se Shqipëria është një vend i sigurt dhe gjithnjë e më atraktiv për të bërë tregti dhe për të investuar.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sh.T. Z. Tayyar Kağan Atay, përgëzoi kompanitë turke për pjesëmarrjen dhe i ftoi ato të zgjerojnë investimet në Shqipëri, duke vlerësuar përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian.

Presidenti i Shoqatës së Eksportuesve të Anadollit Lindor (DAİB), z. Ethem Tanrıver, tha se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme dhe se forumi i sotëm përfaqëson një hap konkret drejt institucionalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare.
Nga ana e tij, Kryetari i MÜSİAD Albania, z. Muhammet İşler, theksoi se “ky organizim është një mundësi e mirë për investime jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen”.
Në fokus të takimeve dypalëshe (B2B) mes bizneseve turke dhe shqiptare ishin bashkëpunimet në sektorët e ndërtimit, industrisë së energjisë, naftës dhe gazit, sektori automotiv, sektori i klimatizimit, sektori i ushqimit dhe bujqësisë, sektori i tregtisë së jashtme dhe investimeve dhe fusha të tjera.