Jaka: Tregu i kapitalit një domosdoshmëri për sipërmarrjen shqiptare
AMF nis Javën Globale të Investitorit me aktivitetin me përfaqësues të bizneseve anëtar të DHTIT dhe shoqatave të tregjeve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizuan sot, më 30 shtator 2019, një takim informues me përfaqësues të bizneseve anëtar të institucionit dhe shoqatave të tregjeve nën mbikëqyrje, në nisje të aktiviteteve në kuadër të Javës Globale të Investitorit.
Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi theksoi rëndësinë e përfshirjes së bizneseve në tregun e kapitalit, si një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të siguruar financime, por edhe për të kontribuar direkt në rritjen ekonomike të vendit.
“Aktualisht, raporti i huave kredituar ndaj depozitave në sektorin bankar është poshtë nivelit 50%, që nënkupton se thellimi i tregut financiar nëpërmjet zhvillimit të tregut të kapitalit është domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit. Thellimi i sektorit financiar do të kontribuojë jo vetëm në angazhimin e burimeve të pashfrytëzuara drejt sektorëve të ekonomisë reale, por edhe rritjen e alternativave të financimit dhe reduktimin e kostove për biznesin në tërësi”, u shpreh Z. Koçi.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, tha se instrumentet e tregut të kapitalit janë sot një domosdoshmëri, në mënyrë që biznesi shqiptar të jetë sa më konkurrues në epokën e globalizmit.
Java Globale e Investitorit (30 shtator – 6 tetor) organizohet në të gjitha vendet që aderojnë pranë Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), me aktivitete me karakter ndërgjegjësues dhe informues në lidhje me tregun e kapitalit, fondet e investimeve dhe pensionet private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë aktivitete të tjera dhe orë të hapura me grupe interesi, në bashkëpunim me aktorët e këtij tregu në vend.