Jaka takim me delegacionin e Shoqatës së Industrisë së Bavarisë: Të gatshëm për bashkëpunime konkrete
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z.Nikolin Jaka priti në një takim ditën e enjte, më 23 mars 2023, një delegacion nga Shoqata e Industrisë së Bavarisë, i kryesuar nga Presidenti i Shoqatës, z.Wolfram Hatz dhe Drejtori Ekzekutiv, z.Bertram Brossardt.
Në fokus të takimit ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe rritja e shkëmbimeve tregtare. Për t’iu shërbyer qëllimeve të shënjuara, u diskutua dhe u shkëmbyen mendime për mundësitë në investim dhe krijimin e një modeli të ri komunikimi dhe bashkëpunimi.
Teksa shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e qeverisë gjermane për mbështetjen në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, z.Jaka prezantoi sektorët më potencialë për investime në vendin tonë.
“Për nga pjesa ekonomike dhe e interesit, Shqipëria ka potenciale reale për të investuar. Për investime të drejtpërdrejta, sektorët më me interes janë: energjia e rinovueshme, turizmi, porti i marinave, agropërpunimi, smart business, pasuritë e patundshme, ndërtimi në tërësi etj. Shqipëria ka mundësi reale dhe për industri mekanike. Ka shumë kompani që po punojnë me kompani globale të mëdha. Ka 10 vjet që qeveria shqiptare është fokusuar shumë te arsimimi profesional. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me një shkollë në zonën e Mirditës ka një projekt me qeverinë gjermane, me Dhomën e Zejtarisë dhe Artizanatit të Dortmundit. Kemi arritur që Dhoma e Dortmundit të vijë dhe të pajisë me certifikata dhe standard gjerman saldatorë, hidraulikë dhe mekanikë”, deklaroi z.Jaka.
Në nisje të fjalës së tij, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Bavarisë, z.Bertram Brossardt, vlerësoi kreun e DHTIT për promovimin që i bën Shqipërisë. Ai foli për fushat ku mund të lindin mundësi bashkëpunimi dhe kërkoi që këto vizita të pasohen me bashkëpunime afatgjata dhe dobiprurëse.
“Do të hapim një zyrë në Tiranë. Duam një bashkëpunim afatgjatë me përfitime të ndërsjella. Kemi dy arsye kryesore pse ne jemi këtu. E para, ishte një dëshirë e Kryeministrit të Landit Federal të Bavarisë. E dyta, duam të tregojmë një shembull në Shqipëri sesi mund të bashkëpunojmë. Do të bëjmë edhe një promovim në Bavari për Shqipërinë. Do të shikojmë që të sjellim mjaftueshëm ndërmarrje këtu. Jemi gjithmonë të hapur për projekte të reja. Sa i përket sektorëve që ju përmendët, përveç portit, në të gjitha fushat kemi kompetenca. Ndaj, jemi optimistë për realizimin e bashkëpunimeve të mira”, u shpreh z.Brossardt, i cili bëri edhe një ftesë për pjesëmarrje në panairin e Mynihut.
Duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës, z.Jaka siguroi përfaqësuesit gjermanë që Shqipëria aktualisht ka një sipërmarrje të maturuar dhe të aftë jo vetëm për partnerë lokalë, po edhe për bashkëpunëtorë në financim.
Kjo është vizita e dytë që përfaqësuesit e shoqatës bavareze zhvillojnë në ambientet e DHTIT- Tiranë brenda një kohe të shkurtër, gati një muaj. Për këtë, z.Jaka u shpreh optimist se: “Hapja e zyrës së përfaqësimit në Shqipëri dhe vizita e dytë dëshmojnë që synimi për thellimin e bashkëpunimit është serioz.”
Ky takim u finalizua me konfirmimin e angazhimit që të dyja palët do të ndërmarrin në vijimësinë e bashkëpunimit, me qëllim shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit, projektet e përbashkëta, si dhe organizimin dhe pjesëmarrjen në panaire dhe ekspozita.
Pjesë e delegacionit ishin z.Wolfram Hatz, Presidenti i Shoqatës, z.Bertram Brossardt, drejtor ekzekutiv i Shoqatës, Znj. Drita Schneider, menaxhere e kompanisë Schneider Kunststofftechnik GmbH, z. Milazim Sadriaj, avokat, znj. Renate Spandel dhe z. Volker Leinweber, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Bavarisë.