Jaka: Biznesi kroat ka mundësi reale të lidhë kontrata bashkëpunimi me kompanitë tona
Zhvillohet në Tiranë forumi i biznesit Shqipëri-Kroaci
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kroacisë zhvilluan në Tiranë në 18 korrik 2019 forumin e biznesit Shqipëri-Kroaci. Ky forum kishte në fokus zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, me pjesëmarrjen e dhjetëra kompanive shqiptare dhe kroate. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë zoti Nikolin Jaka në fjalën e tij të mirëseardhjes, bëri një ftesë të hapur për bizneset kroate që të shpërndajnë portofolin e tyre të investimeve duke parë potencialet që ka realisht Shqipëria. “Organizimi i këtij misioni biznesi është një mundësi reale për të gjetur rrugë të reja të bashkëpunimit të sipërmarrësve të të dy vendeve tona”, u shpreh Jaka në fjalën e tij duke shtuar se “marrëdhëniet ekonomike me Kroacinë zënë një vend të rëndësishëm në politikën si bilaterale dhe atë rajonale të Shqipërisë. Por mbi të gjitha ne synojmë ta bëjmë më intensiv dialogun ndërmjet sipërmarrjeve tona duke shkuar drejt konkretizimit të projekteve të përbashkëta”. Sipas zotit Jaka shifrat e bashkëpunimit tregtar, edhe pse kanë një trend pozitiv, me rritje nga viti në vit, nuk janë në harmoni me nivelin e shkëlqyer politik të bashkëpunimit, pasi ende nuk po shfrytëzojmë sa duhet potencialet reale që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona. “Kroacia është një nga shtetet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, sepse është aksi që lidh Tiranën me Evropën nëpërmjet rrugës tokësore. Janë të gjitha mundësitë dhe duhet të punojmë ne sipërmarrësit për intensifikimin e marrëdhënieve më të forta ekonomike dhe tregtare, rritjen e investimeve të ndërsjella si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit midis Dhomës së Ekonomisë Kroate dhe DHTIT, për të ndërmarrë projekte dhe aktivitete të përbashkëta që i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, u shpreh kryetari i Dhomës së Tiranës, zoti Jaka. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, që ishte pjesë e këtij forumi u shpreh se potencialet e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve janë të mëdha dhe e konsideroi Forumin e Biznesit si fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm e afatgjatë, për të cilin shprehu edhe angazhimin e MFE. Ministrja prezantoi para pjesëmarrësve disa prej politikave të qeverisë shqiptare për krijimin e një mjedisi më të mirë për biznesin, si: reformat në kuadrin rregullator dhe ato që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, të cilat janë në linjë me rekomandimet e BE-së dhe parimet e OECD-së; lehtësitë fiskale që ofron Shqipëria në disa sektorë të ekonomisë, si turizmi, ku është reduktuar TVSH-ja nga 20 % në 6 % për hotelet me 4 dhe 5 yje; drafti i ri i Ligjit të Unifikuar të Investimeve, i cili po diskutohet për tu përmirësuar më tej me rekomandimet e komunitetit të biznesit; si dhe projekti i Fiskalizimit, i cili do të përfundojë në vitin 2021 dhe synon të vendosë një klimë më të mirë biznesi, rregulla të pastra loje dhe konkurrencë të ndershme. Të pranishëm në këtë forum ishin gjithashtu zv. Presidenti i Odës Ekonomike Kroate z. Ivan Barbaric, Ministri i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Artizanatit të Kroacisë, z. Darko Horvat, Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi, Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Shqipëri znj. Sanja Bujas-Juraga, z. Etjen Xhafaj, zv.Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme dhe z. Genc Çeli, përfaqësues i AIDA dhe Znj. Suzana Knezevic kryetare e divizionit të CIS dhe CEFTA Oda Ekonomike e Kroacisë. Gjatë këtij takimi bizneseve pjesëmarrëse ju dha mundësia të takonin homologët e tyre dhe të zhvillonin bisedime për mundësi bashkëpunimi në të ardhmen. Rreth 21 kompani kroate të sektorëve të ndryshëm (naftë dhe gaz, pasuritë e paluajtshme, pajisje për catering; industria përpunuese ushqimore; prodhim veshjesh profesionale, pajisje elektrike kozmetikë organike etj.) shprehën interesin e tyre për bashkëpunim me komani shqiptare. Pjesëmarrëse në këtë takim ishin rreth 70 kompani shqiptare të cilat zhvilluan takime B2B me bizneset Kroate.