Jaka: Bashkëpunimi me zonën e Trentos, një mundësi e mirë për biznesin tonë
Në datat 7 dhe 8 shkurt u zhvillua një vizitë zyrtare e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në Provincën e Trentos, organizuar nga Organizata “Trentino me Ballkanin”, me zyrë në Tiranë.
Delegacioni i Tiranës përbëhej nga Kryetari i Dhomës z. Nikolin Jaka, Av. Luigj Gjergji – Koordinator i Zyrës “Trentino me Ballkanin” në Tiranë, Presidenti i Universitetit “Qiriazi”, Sipërmarrësi z. Pjerin Fushaj.
Takimet kulmuan në Zyrën e Presidencës së Provincës së Trentos, me Ministrin e Ekonomisë, të Kërkimit dhe të Punës, z. Achille Spinelli, ku u shqyrtuan pistat e punës dhe të bashkëpunimit që mund të zhvillohen mes dy vendeve: bashkë-marketingu turistik, bashkëpunime dhe bashkëfinancime në fushën e energjetike, të agrikulturës dhe të mjedisit, formimin dhe mbështetjen e sipërmarrjeve private dypalëshe, njohjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore dhe të verërave, të 2 vendeve respektive. Një fushë tjetër bashkëpunimi është formimi profesional në profilet e Hoteleri-Turizmit dhe Shërbimit Shëndetësor dhe Social, në bashkëpunim me Universitetin “Qiriazi” dhe me Shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozefi punëtor” në Rrëshen.
“Mirënjohës për vizitën tuaj në Trentino”, u shpreh z. Spinelli, ndërsa bëri një panoramë mbi rëndësinë dhe produktivitetin e sistemit ekonomik Trentin, duke evidentuar këto fusha prioritare të bashkëpunimit imediat, në vijimësi të rritjes që Shqipëria duhet të zhvillojë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Uroj dhe besoj që këto pista bashkëpunimi do t’i çojmë përpara”, shtoi z. Spinelli, duke synuar edhe ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve, të prodhimeve të territoreve tona, dhe kjo vizitë hap zyrtarisht bashkëpunimin e frytshëm mes dy vendeve”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Jaka përcolli vlerësimin e tij për sistemin Trentin kaq të përpiktë dhe të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik të territorit dhe ka siguruar mbështetjen institucionale si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës për bashkëpunime në fushat e përmendura dhe sektorë të ndryshëm strategjik që mund të implementohen në të ardhmen e afërt në Shqipëri.
Po kështu Jaka zyrtarizpi ftesën e tij ndaj z. Spinelli, ndaj organizmave të ndryshme të Provincës së Trentos dhe të sistemit trentin, për Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë së Trentos, për një vizitë formale të afërt në Shqipëri dhe aktualizimin e hapave të para që do të ndërmerren mes palëve.
Gjatë ditës u zhvilluan takime në Agjencinë për Familjen në Provincën e Trentos me drejtuesin z. Luciano Malfer. Kjo Agjenci po avancon me praktikën me Bashkinë e Tiranës për ta anëtarësuar në Organizatën e Bashkive Europiane “Family & Friendly, në mënyrë që Bashkia Tiranë të jetë Bashki pilot për rritjen e mirëqenies familjare dhe sociale. Ky sistem “family & friendly” në Trento ka bërë të mundur që 90% e familjeve përfitojnë shërbime nga Bashkitë dhe Komunat në Territor si “Miq të familjes”.
Po kështu u zhvilluan takime me Dhomën e Tregtisë së Trentos, me Konfindustrinë e Trentos nëpërmjet përfaqësueses znj Monica Vidi, me znj. Patrizia Tomio Universiteti i Trentos, me sipërmarrje të ndryshme private trentine që mendojnë të investojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me fonde europiane, në Shqipëri.