Forumi Shqipëri-Sllovaki, bizneset shqiptare dhe sllovake diskutojnë për mundësitë e bashkëpunimit

Forumi Shqipëri-Sllovaki, bizneset shqiptare dhe sllovake diskutojnë për mundësitë e bashkëpunimit

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën e Sllovakisë në Shqipëri dhe Dhomën Rajonale të Trnava (SCCI), organizuan sot, datë 7 dhjetor 2023, forumin e përbashkët të biznesit ShqipëriSllovaki.

Një delegacion me përfaqësues të bizneseve sllovake nga sektorët e teknologjisë, industrisë përpunuese, gastronomisë, marketingut digjital etj., diskutuan me kompanitë shqiptare mundësitë e përbashkëta të të bërit biznes.

Punimet e këtij forumi u përshëndetën nga Ambasadori i Sllovakisë në Tiranë, z.Albin Otruba, i cili vlerësoi bashkëpunimet dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Sekretarja e Përgjithshme e DHTIT, znj. Albana Laknori bëri një prezantim të Dhomës dhe klimës së investimeve në Shqipëri, teksa shpalosi lehtësirat dhe mundësitë që ofrohen për të bërë biznes në vendin tonë.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Dhomës Rajonale të Trnava, z.Peter Kovář informoi sipërmarrësit për perspektivat dhe mundësitë që paraqet tregu sllovak.

Forumi u përmbyll me nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy Dhomave, si dhe zhvillimin e një seance takimesh B2B mes sipërmarrësve të të dyja vendeve.

 

Share this post