Forumi i Biznesit Shqipëri – Spanjë, një mundësi e shtuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Forumi i Biznesit Shqipëri – Spanjë, një mundësi e shtuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Më datë 14.03.2024, u mbajt në Madrid Forumi i Biznesit Shqipëri – Spanjë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka kryesoi delegacionin e biznesit që shoqëroi ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Igli Hasani në vizitën zyrtare në Spanjë, me fokus fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe identifikimin e perspektivave ekonomike për forcimin e mundësive të tregtisë dhe investimeve.

Duke e konsideruar këtë forum një pikënisje e një rrugëtimi të gjatë bashkëpunues, kryetari Jaka shprehu gatishmërinë e DHTIT për të punuar ngushtë me Dhomën e Tregtisë së Madridit, nëpërmjet projekteve dhe nismave të përbashkëta.

“Mbi 50 kompani spanjolle vendosën kontakte me rreth 14 kompani shqiptare që ishin pjesë e delegacionit shqiptar. Kishte shumë kompani spanjolle që interesoheshin për të investuar në sektorët strategjikë shqiptarë. U pa me interes investimi në sektorin e turizmit, manifaktura, bujqësia, agropërpunimi dhe shumë sektorë të tjerë. Në sektorin e energjisë, Shqipëria gjithashtu ka potenciale reale, dhe Spanja ka eksperiencën e përvojën e duhur për të implementuar praktikën e saj edhe në Shqipëri. Ishin të interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të investuar qoftë në sektorin e paneleve diellore, qoftë në sektorin e energjisë së erës”, u shpreh z.Jaka pas mbylljes së forumit.

Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në Madrid, z.Eduard Hyseni tregon rezultatet pozitive të arritura në këtë forum: “Hera e parë që bëhet një mision biznesi i tillë. Kohët e fundit është rritur goxha interesi i biznesit spanjoll për të investuar në Shqipëri. Ne në këto momente po punojmë që të vijnë disa kompani të tjera hoteliere. Ky forum solli rezultate të mrekullueshme, pasi përgjigjja që morëm nga bizneset spanjolle ishte shumë pozitive”.

Forumi u përmbyll me takimet B2B ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve, duke krijuar kontaktin e parë për nisjen e partneriteteve reciproke.

Share this post