Forumi Biznes-Dogana! Kryetari i DHTIT-së, z. Jaka: Integrimi në BE, sfidë për sipërmarrjen! Drejtori i Doganave, z.Gazheli: Koha nuk pret
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, zhvilloi një forum me përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare.
Qëllimi i këtij takimi ishte të dëgjohej nga afër zëri i bizneseve, të evidentoheshin problematikat me të cilat ato përballen në marrëdhëniet me doganat, me synimin që këto çështje të adresohen dhe të reflektohen në politikat dhe praktikat doganore.
Takimi zhvillohet në një moment kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Në këtë kontekst, përfshirja aktive e sipërmarrjes është thelbësore, pasi ajo përfaqëson një nga hallkat kryesore të këtij procesi.

Në këtë kuadër, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, e cilësoi procesin e integrimit si një sfidë për sipërmarrjen shqiptare. Ai theksoi se biznesi duhet të jetë i përgatitur për t’u bërë pjesë e tregut të madh evropian dhe unionit doganor të BE-së.
“Integrimi është sfidë edhe për sipërmarrjen. Ne duhet të jemi gati në hapin dhe standardin e duhur për t’u përfshirë në tregun e madh te BE. Jam i bindur që sipërmarrja është përgatitur për kostot që ka anëtarësimi në BE, pasi ky hap mund të bëhet sukses për disa, por nga ana tjetër mund te sjelle sfida”- u shpreh Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Gent Gazheli, i cili theksoi se “koha nuk pret”. Ai u shpreh se vizioni i institucionit që drejton është që, deri në vitin 2030, Shqipëria të ketë një sistem doganor që funksionon sipas të njëjtave standarde me ato të Bashkimit Europian.
“Afatet për negociatat teknike për kapitullin 29 janë brenda vitit 2027 dhe për këtë arsye koha nuk pret as për ne por as për sektorin privat për të përafruar burimet njerëzore, teknologjike dhe pikësëpari mentalitetin për tregun e përbashkët evropian.(…) Vizioni është që deri në vitin 2030, Shqipëria të ketë një sistem doganor që funksionon sipas të njëjtave standarde, procedurave dhe teknologji si vendet anëtare të BE-së, duke ofruar shërbime të shpejta, të sigurta dhe efikase për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Z.Gazheli.
Pas diskutimeve dhe dëgjesave me përfaqësuesit e biznesit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin, me qëllim ofrimin e mbështetjes sa më efektive për sipërmarrjen.