Eleonora Gjonpalaj: Jeta më ka mësuar që çdo gjë e ka një zgjidhje, ky është dhe suksesi im
Sa e lehtë është të jesh një grua në biznes. Cilat janë sfidat që zonjat kanë në të përditshmen e tyre si sipërmarrëse dhe çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të lehtësuar praktikat e biznesit që të rritet numri i grave në sipërmarrje
Eleonora Gjonpalaj ose siç e njohin të gjithë Nora e “Globus” ishte vetëm 23 vjeçe kur mendoi t’i futej botës së biznesit. Së bashku me shoqen e saj dhe me ndihmën dhe përkrahjen e pakufishme të prindërve ajo hapi një agjenci modeste për shërbime biletarie.
Sot ajo është ndër agjencitë më të njohura në vend që operon në fushën e turizmit. Nora aktualisht është bashkëshorte dhe nënë, por dhe një sipërmarrëse e suksesshme. Nga një biznes i vogël me dy ortakë, ajo sot regjistron 65 të punësuar në agjencinë e saj dhe për më tepër e drejton punën nga SHBA, ku menaxhimin e përditshëm e bënë e motra Adjola.
Nora e sheh një sfidë jo të lehtë të qenurit sipërmarrëse femër në biznes, por jo pa krenari thekson se zonjat janë drejtuese më të mira. “Të jesh një grua në biznes kërkon përkushtim të madh për shkak dhe të angazhimit që kërkon familja. Është dashur përpjekje e vazhdueshme për të arritur një balancë ndërmjet rolit si drejtuese e biznesit dhe si nënë dhe bashkëshorte” thekson Gjonpalaj në bisedën e mëposhtme…
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun?
Kompania Globus Travel është themeluar në mars të vitit 2002 si një ide e përbashkët me një shoqen time. Megjithëse se isha vetëm 23 vjeçe dhe më mungonte besimi tek vetja për një sipërmarrje të tillë, ishte dëshira dhe mbështetja e pakufi e prindërve të mi që bëri të mundur të ndërtoja një biznes të suksesshëm.
Kompania jonë ofron shërbime që janë të lidhura drejtpërdrejt me shërbimin ndaj klientit. Ne sigurojmë kontrata me kompanitë ajrore më të njohura ndërkombëtare. Gjithashtu jemi të specializuar në krijimin e paketave turistike individuale dhe në grup duke përfshirë të gjithë elementet e krijimit të paketës, siç janë: rezervimi i hotelit, transporti ajror ose tokësor, akomodimi në hotele cilësore si dhe ture me guidë profesionale vendase në të gjithë botën. Gjithashtu një vend të rëndësishëm në biznesin tonë zë fluturimet me charter drejt Antalya dhe Bodrum.
Nga ana tjetër klientëve tanë nuk iu mungon informacioni dhe këshillimi pranë zyrave tona që ndodhen në Tiranë, Prishtinë, New Jersey dhe New York si dhe shërbimi 24 orë on-line nga ekspertët tanë të udhëtimit.
Si është të jesh një grua në biznes?
Të jesh një grua në biznes kërkon përkushtim të madh për shkak dhe të angazhimit që kërkon familja. Është dashur përpjekje e vazhdueshme për të arritur një balancë ndërmjet rolit si drejtuese e biznesit dhe si nënë dhe bashkëshorte.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
Kompania jonë ka filluar me dy ortakë të vetëpunësuar. Pas një viti bleva aksionet e partneres e cila u zhvendos për të jetuar jashtë vendit. Ndryshimet e njëpasnjëshme që ndodhën në vendin tonë në ato vite, një nga më të rëndësishmet liberalizimi i vizave, ndikoi ndjeshëm në rritjen kërkesës për udhëtime jashtë vendit dhe në gjithë botën. Kjo kishte një ndikim pozitiv në llojin e biznesit tonë. Duke qenë një kompani me staf të përkushtuar dhe dedikuar drejt ekselencës, numri i klientëve erdhi në rritje nga viti në vit. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve në vend dhe zhvillimeve në fushën e turizmit, u krijuan mundësi të vazhdueshme punësimi sipas kërkesave dhe zgjerimit të spektrit të shërbimeve tona, sot numërohemi plot 65 punonjës. Nuk dua të lë pa përmendur kontributin e motrës time, Adjola, nga viti 2004 deri në ditët e sotme në rolin e menaxheres së përgjithshme sidomos nga momenti i largimit tim jashtë vendit.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Absolutisht, po. Duke pasur parasysh që më tërheqin iniciativat impenjative dhe arritjet, nuk jam penduar. Sfidat dhe vështirësitë kanë qenë të mëdha, por nga ato kam mësuar dhe jam rritur bashkë me kompaninë dhe jam kjo që jam sot. Pedagogjia është një drejtim tjetër ku do të kisha dashur të investoja personalisht, por le të shohim mbase dhe kjo dëshirë e imja realizohet.
Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin, jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Prej 9 vitesh familja ime është zhvendosur në SHBA dhe këtu prania e bashkëshortit në biznes është më e vazhdueshme. Jemi të ndryshëm, por edhe komplementar. Diskutojmë gjithmonë parashikimet, projektet dhe vendimet i marrim bashkërisht, për të realizuar në mënyrën më të mirë çdo iniciativë. Është kënaqësi kur ti ke dikë gjithmonë në anën tënde sidomos në një ditë të vështirë.
Si është të jesh nënë si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ato kanë patur nevojë? ( Sa ke ndikuar në formimin e tyre)?
Megjithëse drejtimi i një biznesi kërkon angazhim të detyrueshëm, kam gjetur kohën për t’u përkushtuar si nënë në edukimin dhe rritjen me dashuri të fëmijëve të mi. Nuk ka asgjë më të bukur kur ata të shikojnë ty sa herë që zgjohen dhe kur shkojnë në shtrat. Toleranca është mënyra me të cilën kam arritur të ekuilibroj kërkesat e punës dhe familjes time. Kjo nuk përjashton faktin që kam kaluar dhe netë pa gjumë. Kam energji të ndikoj në formimin dhe edukimin e tyre dhe të njëjtën energji e sjell dhe në punë. Gjithmonë jam përpjekur të gjej balancën ndërmjet familjes dhe punës. Është një kombinacion që nuk ka zgjidhje dhe kurrë nuk do të ketë sepse asnjë njeri në botë nuk është perfekt.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Suksesi ka ardhur nga viti në vit nuk ka qene i menjëhershëm. Kam qenë e vendosur për t’i përballuar vështirësitë duke i kthyer në mësime për të ardhmen dhe asnjëherë të dorëzohem. Ndoshta vetë jeta më ka mësuar që çdo gjë ka zgjidhje.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, do të mund të bëhej më mirë?
Krijimi i një rrjeti kombëtar për të identifikuar dhe përkrahur shembuj suksesi si ambasadore / mentore të cilat do të inkurajojnë dhe nxisin brezat e rinj.
- Programe financimi si: grante për zhvillimin / fuqizimin e biznesit apo lehtësi në kredimarrje.
- Mundësia e krijimit të një mjedisi që inkurajon më shumë gra të rriten në biznes dhe të sjellë këtë fakt në vëmendjen e politikë-bërësve dhe donatorëve.
- Gjithëpërfshirja e tyre në politike duke u dhënë liri veprimi e vendimi.
Historiku Globus Travel
Që në gjenezë dhe gjatë gjithë rrugëtimit Globus Travel është karakterizuar nga energjia pozitive si nga ana e sipërmarrjes ashtu edhe nga stafi i cili është bërë pjesë në këtë rrugëtim të gjatë prej afro dy dekadash. Ndërthurja më e mirë e mundshme mes kërkesave të klientëve dhe shërbimi ekselent nga stafi i kualifikuar për të ofruar më të mirën ka sjellë suksesin e padiskutueshëm të kësaj kompanie e cila triumfon jo vetëm në tregun shqiptar por ka hedhur hapa të sigurtë e të suksesshëm edhe në New York e New Jersey e së fundmi dhe në Kosovë. Globus Travel, i integruar tërësisht në politikat e zhvillimit të turizmit dhe në bashkëpunim të ngushtë me hotele të kategorisë së lartë të shërbimit, guida profesionale të licencuara, marrëdhënie serioze me kompani të transportit rrugor, ajror dhe detar Globus Travel ka arritur tu sigurojë klientëve të saj paketa të standardeve më të larta në treg. Globus Travel realizon paketa në çdo pikë të globit, nga destinacionet më të kërkuara deri në ato më ekzotiket duke vlerësuar saktësinë e detajeve dhe siguruar komoditet në çdo moment të udhëtimit nga nisja deri në kthim. Ofertat e herëpashershme të krijuara për çdo klient e produkt janë tregues i qartë i dëshirës dhe mundësisë për të vlerësuar dhe falënderuar besnikërinë tuaj ndër vite. Globus Travel i kushton rëndësi të veçantë promovimit të Shqipërisë dhe turizmit në vend duke qenë prezent në të gjitha panairet ndërkombëtare, sponsorizimeve për programe e emisione televizive që nxjerrin në pah veçoritë e Shqipërisë dhe materialeve të ndryshme promocionale të printuara dhe të botuara.