2026: Nga rezultatet e arritura drejt mundësive të reja përmes projekteve europiane
Me më shumë se gjysmën e vitit 2026 tashmë të përfunduar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI) bën një përmbledhje të progresit dhe rezultateve të arritura në kuadër të projekteve europiane që ka zbatuar dhe menaxhuar gjatë këtij viti.
Një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi lidhet me Programin Erasmus+, ku DHTI vazhdon të kontribuojë në projekte që lidhin më ngushtë biznesin me arsimin dhe formimin profesional, zhvillimin e aftësive, transformimin digjital dhe të gjelbër.
ONE FUTURE – një projekt i përfunduar me sukses
Në mars 2026 u përmbyll me sukses ONE FUTURE, pas tre vitesh bashkëpunimi ndërkombëtar. Projekti la pas rezultate konkrete në fushën e qëndrueshmërisë dhe veprimit klimatik, përfshirë materiale edukative, mjete bashkëpunimi dhe një Book of Case Studies, duke krijuar një bazë që mund të përdoret edhe përtej përfundimit të projektit.
RAPPORT – nga zhvillimi i kapaciteteve drejt zbatimit praktik
RAPPORT ka arritur tashmë një fazë të rëndësishme të zbatimit. Pas aktiviteteve të zhvillimit të kapaciteteve dhe punës për identifikimin e nevojave të tregut të punës, projekti po fokusohet në përdorimin praktik të kurrikulave, materialeve mësimore dhe instrumenteve të vlerësimit për aftësitë e gjelbra, digjitale dhe sipërmarrëse. Hapi i radhës do të jenë workshop-et Train-the-Trainers, që do të zhvillohen gjatë shtatorit dhe tetorit.
CIRCULAR TOURISM – aftësi dhe modele më të qëndrueshme për turizmin
Circular Tourism po e kthen konceptin e ekonomisë qarkulluese në mbështetje praktike për sektorin e turizmit. Deri tani janë zhvilluar aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të VET educators dhe SME-ve, përfshirë workshop-e praktike dhe një skemë mentorimi për bizneset, me synim aplikimin e praktikave më të qëndrueshme në aktivitetin e tyre.
DERHE – drejt përmbylljes së projektit
DERHE – Digital Education Readiness in the Field of Higher Education hyn në muajt e fundit të zbatimit dhe pritet të përmbyllet në tetor 2026. Një nga rezultatet konkrete të projektit është zhvillimi i 12 kurseve blended-learning, që trajtojnë fusha si digjitalizimi, Industry 5.0, eficienca e energjisë dhe optimizimi i proceseve, të lidhura me nevojat e industrisë të identifikuara edhe përmes Dhomave të Tregtisë. Në fazën përfundimtare, DHTI do të organizojë edhe një aktivitet dedikuar prezantimit dhe shpërndarjes së rezultateve të projektit.
Një cikël i ri projektesh Erasmus+
Paralelisht me rezultatet e projekteve ekzistuese, gjatë vitit 2026 DHTI ka hyrë në një cikël të ri bashkëpunimi në kuadër të Erasmus+.
ENTAIL sjell një fokus të ri në zhvillimin e sipërmarrjes dhe të mësuarit digjital në arsimin dhe formimin profesional, duke përfshirë zhvillimin e mjeteve dhe metodologjive të reja për VET dhe forcimin e lidhjes me biznesin.
TechSou4SME është gjithashtu pjesë e këtij cikli të ri Erasmus+, duke zgjeruar më tej portofolin e projekteve europiane të DHTI dhe mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetje të SME-ve. Rezultatet dhe aktivitetet e para të projektit do të ndahen në vijim të zbatimit të tij.
Përtej Erasmus+: AI4DigiT në kuadër të Digital Europe
Në vitin 2026, angazhimi europian i DHTI është zgjeruar edhe përtej Erasmus+, përmes Programit Digital Europe.
DHTI është partnere në AI4DigiT – Artificial Intelligence for Digital Transformation in Albania, Qendra Europiane e Inovacionit Digjital (EDIH) për Shqipërinë. Përmes saj, SME-të shqiptare mund të përfitojnë mbështetje për vlerësimin e nivelit të digjitalizimit, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara, zhvillimin e aftësive dhe orientimin drejt mundësive të financimit.
Nga projektet e përfunduara me rezultate konkrete, te projektet që po hyjnë në fazat e tyre përfundimtare dhe iniciativat e reja që sapo kanë nisur, 2026 përfaqëson një vazhdimësi të angazhimit të DHTI në programet europiane.
Për DHTI, vlera e këtyre projekteve nuk qëndron vetëm te aktivitetet e realizuara, por te njohuritë, mjetet, partneritetet dhe mundësitë që ato sjellin për bizneset, profesionistët, institucionet arsimore dhe ekosistemin ekonomik shqiptar.
Co-funded by the European Union. Views and opinions expressed are, however, those of the author(s) only and do not necessarily reflect those of the European Union or the relevant granting authority. Neither the European Union nor the granting authority can be held responsible for them.