Ditë rrjetëzimi dhe informimi për bizneset mbi mundësitë e financimit të gjelbër nga BE-ja, z.Jaka: Mundësi reale për zhvillim
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka, mori pjesë në ditën e rrjetëzimit dhe informimit të dedikuar për bizneset shqiptare mbi mundësitë e financimit të gjelbër të ofruara nga Bashkimi Evropian.
Takimi kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të sektorit privat mbi instrumentet financiare, programet mbështetëse dhe mekanizmat e BE-së që synojnë tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër, të qëndrueshme dhe konkurruese. Gjatë diskutimeve u theksua roli kyç i bizneseve në adoptimin e praktikave miqësore me mjedisin dhe në nxitjen e inovacionit të gjelbër.
Jaka vlerësoi rëndësinë e këtyre iniciativave për forcimin e kapaciteteve të bizneseve shqiptare, duke nënvizuar se financimi i gjelbër përfaqëson një mundësi reale për zhvillim afatgjatë, rritje të konkurrueshmërisë dhe përafrim me standardet evropiane.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë mbetet e angazhuar në mbështetjen e komunitetit të biznesit, duke shërbyer si një urë lidhëse mes institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të një Shqipërie më të gjelbër dhe më të zhvilluar ekonomikisht.