DHTIT pret delegacionin e biznesit nga Janina: Të thellojmë bashkëpunimin në sektorët kyç të ekonomisë
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z.Nikolin Jaka priti në ambientet e DHTIT-së, një delegacion biznesi nga Dhoma e Janinës.
Ky delegacion ishte i kryesuar nga kryetari i Dhomës së Tregtisë së Janinës, z.Spyridon Bekas dhe përfaqësues të bizneseve në sektorë të ndryshëm, që kishin ardhur në Tiranë me qëllim gjetjen e parterëve dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm.
Në kuadër të thellimit të partneritetit, palët ranë dakord për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik si dhe të përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe kulturore në botën e biznesit Shqipëri-Greqi, veçanërisht ndërmjet DHTI-Tiranë dhe Dhomës së Janinës, përmes organizimit të aktiviteteve.

Duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, përfaqësuesit e biznesit nga Janina shprehen interesin e tyre për të zhvilluar partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë në disa sektorë kyç, si turizmi, ndërtimi, ushqimet, bimët medicinale, artizanati dhe teknologjia/IT. Sipas tyre, këto fusha ofrojnë mundësi të shkëlqyera për bashkëpunim dhe investime të përbashkëta.
Në veçanti, ideja e zhvillimit të takimeve B2B u pa si një hap i rëndësishëm për të krijuar mundësi konkrete të bashkëpunimit, shkëmbim eksperiencash dhe marrëdhënie afatgjata partneriteti mes bizneseve.

Në përfundim të këtij takimi, kryetari z.Jaka shprehu mirënjohjen për gatishmërinë dhe angazhimin e delegacionit grek për të zhvilluar një bashkëpunim të frytshëm. Ai gjithashtu pranoi me kënaqësi ftesën e homologut të tij, z. Spyridon Bekas, për të vizituar Janinën në një të ardhme të afërt, duke e konsideruar këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet tregtare dhe për të eksploruar mundësitë e reja për zhvillim të përbashkët ekonomik.