DHTIT në bashkëpunim me ISHMT organizon ditë informimi: Fokus, informimi dhe ndërgjegjësimi i sipërmarrësve dhe konsumatorëve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), zhvilloi një ditë informimi me përfaqësues të biznesit. Në fokus ishte informimi dhe ndërgjegjësimi mbi detyrimet ligjore të sipërmarrjes, si dhe mbi të drejtat e konsumatorëve.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka, theksoi rëndësinë e përmbushjes së standardeve dhe kuadrit ligjor në funksion të rritjes së cilësisë dhe konkurrueshmërisë së biznesit, duke nënvizuar se respektimi i tyre është një kusht thelbësor për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Nga ana e tij, Kryeinspektori i ISHMT-së, z. Edison Konomi, u shpreh se prioritet i institucionit që ai drejton mbetet sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i bizneseve përpara aplikimit të masave administrative ndëshkuese. Ndër të tjera, z. Konomi i vlerësoi takime të tilla si mjaft të rëndësishme për ndërtimin e një bashkëpunimi konstruktiv me sipërmarrjen.
Në këtë kuadër, Kryetari i DHTIT-së, z. Jaka, propozoi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke shprehur gatishmërinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë për të hartuar një dokument me pikat më të ndjeshme dhe problematikat kryesore të sipërmarrjes. Në vijim, në varësi të nevojave të identifikuara, DHTIT do të organizojë tryeza bashkëpunimi me ISHMT-në, si dhe trajnime të posaçme për zgjidhjen e problematikave që shqetësojnë biznesin dhe zbatimin korrekt të legjislacionit në fuqi.

Ky takim vjen me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT).
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mbetet e angazhuar në mbështetjen e bizneseve dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi institucional, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mbrojtjes së konsumatorit.
