DHTI zhvillon takim me Ambasadorin e Republikës së Uzbekistanit – Fokus në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë zhvilloi një takim me Ambasadorin e Republikës së Uzbekistanit, Shkëlqesinë e Tij, z. Bakhtiyor Ibragimov, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u theksua se, pavarësisht marrëdhënieve diplomatike që datojnë që prej vitit 1993, bashkëpunimi ekonomik mbetet ende në nivele modeste dhe me shkëmbime të kufizuara, duke evidentuar një potencial të konsiderueshëm për zhvillim në të ardhmen.
Palët diskutuan mbi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në sektorë strategjikë si bujqësia dhe industria ushqimore, industria përpunuese, energjia, transporti dhe logjistika, turizmi, si dhe teknologjia dhe shërbimet digjitale. U evidentua gjithashtu roli që Shqipëria mund të luajë si portë hyrëse për tregun evropian për produktet uzbeke, ndërsa Uzbekistani si një pikë lidhëse drejt tregjeve të Azisë Qendrore.
Në këtë kuadër, u diskutua mbi nevojën për ndërtimin e një agjende të përbashkët bashkëpunimi, rritjen e shkëmbimit të informacionit mbi mundësitë konkrete të biznesit, si dhe vendosjen e marrëdhënieve institucionale përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) ndërmjet DHTI dhe homologëve në Uzbekistan.
Në përfundim të takimit, Ambasadori z. Ibragimov i drejtoi një ftesë zyrtare DHTI-së për pjesëmarrje në Tashkent International Investment Forum (TIIF) – edicioni i 5-të, që do të zhvillohet në datat 16–19 qershor 2026 në Uzbekistan.
Ky takim përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset shqiptare dhe uzbeke.