Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë pjesëmarrëse në Panairin e Turizmit në Bari
Stafi i “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë”, si një nga partnerët kryesorë të “Innotour Clust Interreg EU, Shqipëri -Mali i Zi- Itali”, mori pjesë në takimin e kapitalizimit të këtij projekti, dhe u përfaqësua nga tre kompani shqiptare të sektorit të turizmit, si pjesë të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit, Fiera del Levante, Bari, Itali, në datat 1-3 Mars 2023.
Ky panair këtë vit iu dedikua krejtësisht turizmit në rajonin e Puglias dhe më gjerë.
Për herë të parë Shqipëria u përfaqësua me tre stenda të dedikuara turizmit, nga tre bashki shqiptare, si Shkodra, Saranda, Vlora, së bashku me disa prej kompanive turistike të këtyre qyteteve, për të promovuar turizmin.
Vizitorët italianë të panairit morën informacione të shumta mbi pikat kryesore turistike shqiptare.
Po ashtu, në këtë panair u organizua edhe një workshop, dedikuar turizmit të Shqipërisë, organizuar nga shoqata Balcando, me seli në Bari, drejtuar nga Znj. Fabiola Ismaili, avokate dhe sipërmarrëse e suksesshme në mbështetjen e bizneseve pugliese e shqiptare.
Në sesionin e parë të workshop-it, i cili u moderua nga Loris Castriota Scanderbeg, morën pjesë tre kryetarët e bashkive shqiptare, si dhe kryebashkiaku i Barit. Theksi u vendos mbi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e përbashkëta për të përmirësuar shkëmbimet turistike dypalëshe.
Ndërkohë, sesioni i dytë i workshop-it nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së sektorit privat dhe civil në biznesin e turizmit, si burim i lëvizjes së turistëve në të dyja vendet, dhe mbështetjes nga institucionet shtetërore dhe dhomat e tregtisë, siç ishte edhe projekti Innotour Clust, i cili krijoi mundësi shumë të mira bashkëpunimi kompanive turistike të tre vendeve, shkëmbim eksperience mes tyre dhe futjen e ideve të reja në turizëm.