Çelet “TiranAgro”, panairi i prodhimeve shqiptare të sektorit të agropërpunimit

Çelet “TiranAgro”, panairi i prodhimeve shqiptare të sektorit të agropërpunimit

“TiranAgro”, panairi dedikuar promovimit të prodhimit vendas është çelur sot në sheshin “Skëndërbej” dhe do të qëndrojë i hapur deri në datën 24 shtator 2023.

200 fermerë dhe 50 biznese kryesisht të sektorit agropërpunues do të prezantojnë përgjatë katër ditëve produktet e tyre bio dhe autentike.

Nën organizimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, ky panair synon promovimin e produkteve shqiptare dhe sigurimin e një mjedisi optimal për të gjithë ekspozuesit, ndërsa do të shërbejë edhe si një pikëtakim mes prodhuesve shqiptarë dhe konsumatorëve vendas.

Në ceremoninë e hapjes, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z.Nikolin Jaka vuri theksin te mundësitë e rritjes së prodhimeve shqiptare të sektorit të agropërpunimit, duke konkurruar edhe produktet e vendeve rajonale.

“Po të bësh një vizitë në panair, do të shohësh që nuk ka më produkte të korrura dhe të bëra gati thjesht për eksport, por ka produkte të paketuara që janë gati për eksport dhe shumica e këtyre minisipërmarrjeve të vogla kanë mundësuar kontratat e eksportit dhe produktet i kanë gati për eksport. Pra, Shqipërisë, tokës shqiptare, produkteve shqiptare po iu rritet vlera e tyre, duke kaluar në një produkt fundor të paketuar dhe duke konkurruar ndjeshëm edhe produktet e vendeve rajonale.”

Një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari dhe nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Andi Seferi, teksa shprehën mbështetjen dhe informimin e fermerëve shqiptarë, për të garantuar prodhimin, sigurinë dhe cilësinë e produkteve.

 

Share this post