130 vjet histori, një mbrëmje për më të mirët e sipërmarrjes

130 vjet histori, një mbrëmje për më të mirët e sipërmarrjes

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë do të kremtojë 130-vjetorin e saj me CCIT Awards, ceremoninë e përvitshme që nderon arritjet e biznesit. Ky edicion jubilar do t’ua kushtojë skenën sipërmarrësve dhe kompanive që, përmes investimeve, punësimit dhe standardeve që sjellin në treg, japin një kontribut të çmuar në ekonominë shqiptare.

Pas çdo suksesi qëndron një histori përpjekjesh. Nga ndërmarrjet që janë rritur bashkë me tregun shqiptar, te kompanitë që kanë kapërcyer kufijtë dhe bizneset e reja që po gjejnë vendin e tyre përmes inovacionit, CCIT Awards sjell në vëmendje njerëzit dhe punën pas rezultateve. Në këtë përvjetor, arritjet e tyre bëhen pjesë e kremtimit të një institucioni, historia e të cilit është e lidhur ngushtë me sipërmarrjen.

Gjurmët e dokumentuara të Dhomës shkojnë deri në vitin 1897. Një kronikë e Vilajetit të Shkodrës, e përkthyer nga akademiku Kristo Frashëri, dëshmon ekzistencën e Dhomës së Tregtisë, Bujqësisë dhe Industrisë në Tiranë, me kryetar Fuat Bej Toptanin. Kjo dëshmi, mbi të cilën mbështetet 130-vjetori në vitin 2027, flet për një traditë përfaqësimi të biznesit që i paraprin edhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në dekadat që pasuan, rrugëtimi i saj u ndërthur me zhvillimin e Tiranës dhe ndryshimet e ekonomisë së vendit. Në drejtimin e Dhomës gjatë viteve 1920 dhe 1930 figurojnë emra si Ali Begeja, Aleksandër Hobdari, Hamdi Bimbashi dhe Omer Fortuzi. Tregtarët dhe industrialistët e asaj kohe kërkonin të zgjeronin veprimtarinë dhe të kishin përfaqësim në marrëdhëniet me shtetin. Pas ndryshimeve të sistemeve ekonomike dhe formave të organizimit institucional, rikthimi i ekonomisë së tregut pas vitit 1990 hapi një etapë të re, me mbështetjen e sipërmarrjes private në qendër të rolit të Dhomës.

Nga kjo trashëgimi buron edhe domethënia e CCIT Awards. Vlerësimi i biznesit është pjesë e përgjegjësisë për ta përfaqësuar atë dhe për t’ia bërë të njohur publikut kontributin e tij. Një investim i ri, një produkt që arrin tregjet e huaja apo një kompani që krijon mundësi punësimi kanë ndikim përtej bilancit të vetë sipërmarrjes. Ato mbështesin familje, zhvillojnë aftësi profesionale dhe krijojnë mundësi për biznese të tjera.

Në edicionet e mëparshme, ceremonia ka vlerësuar arritje në eksporte, punësim, teknologji, cilësi dhe shërbime, duke bashkuar sipërmarrje nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prania e përfaqësuesve të institucioneve, diplomacisë, botës akademike dhe dhomave homologe i ka dhënë mbrëmjes edhe një dimension bashkëpunimi rajonal.

Edicioni jubilar do ta sjellë këtë traditë në një moment të veçantë për Dhomën dhe komunitetin që ajo përfaqëson. Përballë një tregu që kërkon më shumë cilësi, produktivitet dhe aftësi konkurruese, historitë e suksesit meritojnë të njihen dhe të shërbejnë si pikë referimi për brezin e ardhshëm të sipërmarrësve.

130-vjetori është një rast për të nderuar ata që i dhanë jetë këtij institucioni dhe për t’ua drejtuar vëmendjen atyre që po shkruajnë kapitullin e tij të radhës. Me CCIT Awards, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë e lidh këtë përvjetor me sipërmarrjen e sotme, duke vlerësuar punën dhe arritjet që do t’i japin formë ekonomisë së nesërme.

Share this post


Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.