CCI organizon Focus Group në kuadër të projektit Erasmus+ RAPPORT
Në kuadër të projektit Erasmus+ RAPPORT – “RoadMap for improving the quality and responsiveness of VET – Theory and Practice”, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë organizoi më 24 korrik 2025 një aktivitet Focus Group me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga sektorët e prodhimit, ndërtimit, ICT, financës, pasurive të paluajtshme, transportit, shërbimeve ligjore dhe sektorë të tjerë, me qëllim diskutimin e sfidave aktuale të arsimit dhe formimit profesional (VET/AFP), nevojave të tregut të punës, transformimit digjital dhe zhvillimit të aftësive të gjelbra në Shqipëri.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit evidentuan se një nga sfidat kryesore me të cilat përballen bizneset sot mbetet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, e ndikuar nga emigracioni, mungesa e praktikës profesionale dhe mospërputhja ndërmjet kurrikulave VET dhe kërkesave reale të tregut të punës. U theksuan veçanërisht mungesat në profesionistë të fushave si cybersecurity, fintech, teknologjitë digjitale, automatizimi dhe praktikat e qëndrueshme.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e forcimit të kompetencave digjitale dhe të gjelbra në programet VET, duke përfshirë:
- automatizimin industrial dhe robotikën,
- cybersecurity dhe cloud computing,
- analizën e të dhënave dhe fintech,
- eficiencën energjetike dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve,
- inovacionin dhe mendësinë sipërmarrëse.
Fokus i veçantë iu kushtua edhe aftësive ndërsektoriale si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, përshtatshmëria dhe metodologjia “learning-by-doing”, të cilat konsiderohen gjithnjë e më të domosdoshme në të gjithë sektorët ekonomikë. Sipas pjesëmarrësve, bashkëpunimi më i fortë ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të arsimit profesional është thelbësor për të përmirësuar përvojën praktike të të rinjve dhe për të garantuar përputhje më të mirë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte nevoja për të mbështetur sipërmarrjen rinore dhe aksesin e barabartë në arsimin profesional, veçanërisht në zonat rurale ku infrastruktura digjitale dhe qasja në trajnimet moderne mbeten të kufizuara. Pjesëmarrësit rekomanduan më shumë mentorim, workshope praktike, akses në laboratorë inovacioni dhe mekanizma më të fortë institucionalë mbështetës për të rinjtë dhe profesionistët e rinj.
Aktiviteti u mbyll me disa rekomandime konkrete, ndër të cilat:
- forcimi i kurrikulave VET me aftësi digjitale dhe të gjelbra;
- rritja e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve VET;
- promovimi i kreativitetit, iniciativës dhe frymës sipërmarrëse tek të rinjtë;
- zgjerimi i mundësive dhe politikave mbështetëse për arsimin profesional në të gjithë vendin.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mbetet e angazhuar në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në përmirësimin e arsimit profesional, zhvillimin e aftësive moderne dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës në Shqipëri dhe në kuadër të bashkëpunimit evropian.