BRESTAT, zhvillohet në Tiranë takimi hapës në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian , DHTIT partneri udhëheqës
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT) zhvilloi më 16-17 dhjetor takimin hapës të projektit “Fuqizimi i Regjistrit të Biznesit përmes Statistikave (BRESTAT)”, në kuadër të Programit Ndërkufitar INTERREG IPA Adriatiku Jugor 2021–2027, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Takimi hapës (Kick-off Meeting) i projektit shërbeu për prezantimin e objektivave dhe aktiviteteve kryesore, njohjen mes partnerëve dhe përcaktimin e roleve e përgjegjësive për zbatimin e projektit. Gjatë takimit u diskutua struktura e menaxhimit, plani i punës, aspektet financiare dhe mekanizmat e monitorimit, si dhe u dakordësuan hapat e ardhshëm për koordinim dhe bashkëpunim efektiv ndërmjet partnerëve. Ky takim vendosi bazat për një zbatim të suksesshëm dhe të koordinuar të projektit.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka, i cili vlerësoi bashkëpunimin me partnerët, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe besimit të ndërtuar ndër vite.
“Fakti që sot vazhdojmë së bashku me të njëjtët partnerë, por edhe me aktorë të rinj të përfshirë, tregon qartë besimin, seriozitetin dhe vlerën e kësaj nisme. Për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ky projekt është një dëshmi konkrete e rolit tonë si urë lidhëse mes bizneseve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit mbi përvojën e mëparshme mund të krijojmë zgjidhje reale dhe afatgjata për bizneset tona”, u shpreh z. Jaka.

E pranishme ishte dhe drejtoresha e INSTAT, znj. Elsa Dhuli, e cila në emër të institucionit shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me DHTIT dhe të gjithë partnerët e projektit BRESTAT.

Projekti BRESTAT synon harmonizimin e statistikave të biznesit në Itali, Shqipëri dhe Mal të Zi, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe aksesueshmërisë së të dhënave. Duke u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, projekti mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kontribuon në përmirësimin e hartimit të politikave publike dhe forcon integrimin ekonomik ndërkufitar. Kjo qasje e unifikuar synon rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe nxitjen e vendimmarrjes së informuar, duke kontribuar në një ekonomi më të integruar të rajonit të Adriatikut të Jugut.
Partnerët e projektit BRESTAT janë: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (CCIT, Shqipëri) – Partner Kryesor; Unioni Rajonal i Dhomave të Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë së Pulias (Itali); Dhoma e Ekonomisë e Malit të Zi (Mal i Zi); Agjencia Rajonale për Teknologjinë, Transferimin e Teknologjisë dhe Inovacionin (Itali); Instituti i Statistikave (Shqipëri); Zyra e Statistikave e Malit të Zi (Mal i Zi).