Kryetari i DHTIT-së, z. Jaka takim me përfaqësuesen e Autoritetit Federal Gjerman të Konkurrencës: Të bashkëpunojmë për trajnimin e sipërmarrësve shqiptarë
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka, priti në një takim zyrtar znj. Sabine Zigelski, Menaxhere e Lartë e Çështjeve pranë Njësisë së Dytë të Vendimmarrjes (“2nd Decision Division”) në Autoritetin Federal Gjerman të Konkurrencës (Bundeskartellamt).
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Federal Gjerman të Konkurrencës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira në fushën e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg.
Në fjalën e saj, znj. Zigelski theksoi rëndësinë që ka konkurrenca e ndershme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe për përgatitjen e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, z. Jaka falënderoi znj. Zigelski për vizitën dhe nënvizoi gatishmërinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare, me synim mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare. Ai propozoi ngritjen e një grupi pune të përbashkët, duke filluar me trajnimin e trajnerëve dhe pastaj në hartimin e një agjende trajnimesh për sipërmarrësit, si dhe në adresimin e problematikave të biznesit.
Në përmbyllje, z. Jaka vlerësoi se Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri duhet të ushtrojë një rol më edukues dhe parandalues, duke nxitur kulturën e konkurrencës së ndershme në treg, përpara rolit ndëshkues.
