Takimi i Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, me Kryetaren e Komunës së Preshevës, Znj. Ardita Sinani

Takimi i Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, me Kryetaren e Komunës së Preshevës, Znj. Ardita Sinani

Në ambientet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Kryetari Nikolin Jaka priti në një takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Kryefjala e këtij takimi ishte “Bashkëpunimi dhe mbështetja për zhvillimin e Preshevës”.

Gjatë takimit, znj. Sinani shprehu shqetësimin e saj lidhur me tkurrjen e numrit të banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, një problem i ndjeshëm që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me zyrtarë dhe sipërmarrës të trevave shqipfolëse për të kërkuar mbështetje në zhvillimin e rajonit, i cili ka burime ujore dhe një ekonomi që mbështetet kryesisht te produktet bujqësore dhe blegtorale.

Diskutimet u përqendruan në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve në zonën e Luginës së Preshevës. Ndër të tjera, Kryetari Jaka propozoi ndërtimin e një platforme të përbashkët për organizimin e një konference të përbashkët me sipërmarrës nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Kjo platformë do të ndihmojë në promovimin e zonës së Preshevës, zhvillimin e saj ekonomik dhe tërheqjen e donatorëve të huaj.

Share this post