“Work and Study” në Korçë dhe Pogradec/ Maturantët informohen rreth ofertave të studimit dhe punësimit
Panairi kombëtar “Work and Study”, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, u vendos ditën e enjte në qytetin e Korçës dhe Pogradecit.
Në panair morën pjesë universitete publike dhe private, të cilët shpalosën programet e tyre, si dhe kompani dhe institucione që ofrojnë vende të lira punë.
Qëllimi i panairit është këshillimi i karrierës për të rinj dhe orientimi i tyre drejt një punë të sigurt.
“Kemi shkelur në çdo skaj të vendit dhe shoh një rini që është shumë entuziaste për të mësuar, për të studiuar dhe për të punuar. Duhet t’iu vendosim kushte sa më të mira të rinjve tanë në mënyrë që mos të largohen nga vendi”, u shpreh mes të tjerash Ornela Gaçe, Drejtore e Eventeve pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
“Ka interes nga të rinjtë si në aplikimet që kryhen në punësim, studentët po ashtu. Këtë vit, risia është promovimi i programit të kodimit. Ka pasur interes të lartë nga të rinjtë”, bëri me dije Ornela Miliku, Specialiste e Shërbimeve AKPA, Korçë.
Interes i lartë është shfaqur edhe në Pogradec, ku maturantët janë njohur me programet e studimit të universiteteve.
Mira Spirollari, Specialiste pranë ZVA, Pogradec, flet për rëndësinë e këshillimit për karrierën.