Tryezë e rrumbullakët shqiptaro-kineze për tregtimin e prodhimeve bujqësore
Paraditen e së mërkurës, datë 7 prill 2021, u zhvillua konferenca “online” me temë “Urat e partneritetit dhe mundësitë për promovimin e tregtisë në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës”. Në fjalën e hapjes, ambasadori kinez në Tiranë, Zhou Ding, theksoi se bazuar në parimin tradicional të miqësisë bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis dy vendeve tona po thellohet. “Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Ambasada jonë ka punuar me zell në lehtësimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve midis nesh. Ne kemi shënuar progres por ka ende një potencial të madh që duhet të shfrytëzohet, veçanërisht në tregtimin e produkteve bujqësore”, -tha ambasadori Zhou. Ndër të tjera ambasadori Zhou Ding vuri në dukje se pavarësisht pandemisë importi i produkteve bujqësore dhe ushqimore shqiptare në Kinë vazhdoi të rritet.
Drejtori i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Bujqësi, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Pjerin Shoshi tha se Kina është një ndër ekonomitë më të fuqishme të botës dhe një partner i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë.
Në fjalën e saj, drejtorja e përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca u ndal te prodhimet bujqësore dhe ushqimore shqiptare që pëlqehen nga konsumatori kinez, duke veçuar mjaltin. Ajo vuri në dukje ndihmën që u jepet fermerëve shqiptarë për të sjellë në treg prodhime sa më cilësore.
Përfaqësuesja e palës kineze Chen Lizhen i njohu të pranishmit me arritjet e ekonomisë kineze të vitit të fundit, duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh ekonomiko-tregtar. Ajo bëri thirrje për shtimin e bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Sekretarja e përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Albana Laknori theksoi se Shqipëria duhet të krijojë një klimë të mirë për investimet kineze. Ajo tha se pritet që në të ardhmen Shqipëria të zgjerojë gamën e eksportit të prodhimeve agro-ushqimore, si mjalti dhe mishi, drejt Kinës.
Në përfundim të veprimtarisë, kompanitë shqiptare, të mjaltit “Morava” dhe bulmeteve “Lufra”, i njohën të pranishmit me prodhimet e tyre, duke shprehur interesimin për gjetjen e partnerëve tregtarë nga Kina. Nuk munguan as prezantimet e kompanive kineze të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore. Konferenca u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri dhe Zyra e Tregtisë e Bashkisë Ningbo.