Takimi i radhës i projektit ADDUPT zhvillohet në Podgoricë! Shqipëria prezanton rezultatet e projektit
Në Podgoricë u mbajt takimi i radhës i partnerëve në kuadër të projektit ADDUPT, një iniciativë e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, që synon zhvillimin dhe përmirësimin e aftësive të organizatave të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në përputhje me kërkesat e sektorit të gjelbër.
Takimi shërbeu për të vlerësuar progresin e deritanishëm dhe për të planifikuar hapat e mbetur drejt përmbylljes së suksesshme të projektit, i cili pritet të përfundojë pas 7 muajsh. Pjesëmarrësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor diskutuan mbi rezultatet konkrete dhe përgatitjet për fazën finale të implementimit.

Partnerët shqiptarë të projektit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (CCIT) dhe Qendra Shqiptare për Edukim, Përkujdesje dhe Trajnim (ACT), prezantuan zhvillimet e fundit dhe angazhimet e ndërmarra në kuadër të projektit.
Ndër aktivitetet më të rëndësishme të realizuara së fundmi është organizimi i një trajnimi virtual për zhvillimin e burimeve dixhitale të mikro-mësimit. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptin e mikro-mësimit, qëllimin, përfitimet në procesin edukativ si dhe me elementët thelbësorë që duhet të përmbajë një burim efektiv.
Në përfundim të këtij procesi, do të krijohen 20 burime të reja të mikro-mësimit, të cilat do të integrohen në kurrikulat e trajnimeve të certifikuara nga ICERT në Greqi. Këto burime do të shërbejnë për përgatitjen e profesionistëve në fushën e Internetit të Gjërave (IoT) – një ndër sektorët më premtues të ekonomisë digjitale.

Projekti ADDUPT synon të forcojë lidhjen ndërmjet sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP-së) dhe sektorit të gjelbër, përmes një programi të integruar që përfshin workshop-e, burime mësimore digjitale, trajnime praktike dhe aktivitete ndërvepruese me synim rritjen e kapaciteteve organizative dhe profesionale.
Takimi i ardhshëm i partnerëve të projektit është planifikuar të zhvillohet në nëntor 2025 në Malaga, Spanjë, ku pritet të paraqiten rezultatet përfundimtare dhe impakti afatgjatë i projektit në vendet pjesëmarrëse.
