Projekti ADDUPT, zhvillohen 2 sesione informuese, prezantohen 20 burime digjitale për microlearning (mikromësim)
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Edukim, Përkujdesje dhe Trajnim (ACT Center), zhvilloi 2 sesione informuese me temën “Metodat e reja të burimeve digjitale të mikro-mësimit”.
Këto sesione, të mbajtur në datat 21 tetor, ora 10:00 (fizikisht) dhe 3 nëntor, në orën 10:00 (online),u realizuan në kuadër të projektit ADDUPT, i financuar nga Bashkimi Evropian, ku DHTIT dhe ACT janë partnerë.
Gjatë takimit u prezantuan 20 burime digjitale për microlearning (mikromësim), të cilat synojnë të mbështesin procesin e zhvillimit profesional dhe mësimdhënien moderne. Burimet do të jenë të aksesueshme dhe të përdorshme nga të gjithë trajnuesit dhe mësuesit, si mbështetje për përmirësimin e cilësisë së leksioneve.

Projekti ADDUPT ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) dhe sektorit të gjelbër, përmes një programi të integruar që përfshin workshop-e, burime digjitale mësimore, trajnime praktike dhe aktivitete ndërvepruese.
Aktualisht, projekti ndodhet në fazën përfundimtare, ndërsa në fund të këtij muaji, në Malaga, Spanjë, do të zhvillohet Konferenca Përmbyllëse Evropiane, ku do të prezantohen rezultatet dhe ndikimi i projektit në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
