Përfundon me sukses trajnimi WIFI Austria
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka përfunduar me sukses programin e trajnimit WIFi Austria, një iniciativë e rëndësishme që synon rritjen e kapaciteteve të bizneseve shqiptare dhe përgatitjen e tyre për tregjet ndërkombëtare.
Trajnimi u zhvillua në bashkëpunim me ekspertë të njohur austriakë, z. Maximillian Födinger dhe Z. Viktor Dedic dhe u fokusua në fusha kyçe si menaxhimi i riskut me mjete të mbështetura nga inteligjenca artificiale, marketingu ndërkombëtar, komunikimi i biznesit dhe negociatat. Programi përfshiu dy module intensive trajnimi, “Risk Management with AI and Database Supported Tools” dhe “International Marketing – Business Communication – Negotiations”, të mbajtura në ambientet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Pas përfundimit të suksesshëm të moduleve teorike dhe praktike, pjesëmarrësit do të vijojnë fazën e radhës të programit në Vjenë, Austri, gjatë datave 2–5 Mars 2026. Në këtë fazë, ata do të kenë mundësinë të zhvillojnë takime B2B me biznese homologe dhe investitorë austriakë, me synimin e finalizimit të kontratave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve bashkëpunimi.

Programi WIFi Austria do të përmbyllet me ceremoninë e diplomimit në Vjenë, ku pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të firmosur nga Dhoma Ekonomike Austriake, e njohur në të gjithë Evropën.
Ky program përfaqëson një hap konkret drejt ndërkombëtarizimit të bizneseve shqiptare dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë.