Mbahet në Bruksel workshop-i final i projektit “ValueFacturing SMEs”, në fokus sfidat dhe mundësitë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
Në kuadër të projektit “ValueFacturing SMEs”, i financuar nga Bashkimi Europian, u zhvillua të martën, 13 maj, workshop-i final me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve partnere dhe ekspertëve nga fusha të ndryshme.
Takimi u fokusua në sfidat dhe mundësitë që hasin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në rrugën e tyre drejt transformimit digjital dhe përfshirjes në zinxhirët globalë të vlerës.
Aktiviteti u zhvillua në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë, nën moderimin e znj. Lina Nardone, menaxhere e projektit “European Digital”, u diskutua mbi strategjitë që duhet të ndjekin NVM-të për të qenë konkurruese në tregun global, si dhe pengesat me të cilat ato përballen.
Panelistët që ndanë mendimet dhe përvojat e tyre ishin Antonio Grasso, Drejtor për Çështjet Publike në Aleancën Evropiane të NVM-ve Digjitale; Sergio Ventriscelli, Nënkryetar i Confimi Industria; Valentina Guerra, Drejtore e Politikave për Çështje Sociale dhe Trajnime në SME United; Aurora Rossi, këshilltare politike pranë IndustriAll Europe; dhe Glenda Quintini, Shefe e Aftësive dhe Përgatitjes për të Ardhmen në OECD.

Pjesa e dytë e workshop-it ishte e përqendruar në temën “Mjetet dhe mënyrat për të garantuar konkurrueshmërinë, kushtet e denja të punës dhe vendet e punës cilësore”. Kjo tryezë e rrumbullakët u drejtua nga Diletta Porcheddu nga Fondazione ADAPT, dhe solli diskutime të rëndësishme nga Mirko Dolzadelli, Sekretar i Përgjithshëm i FIM CISL Lombardia; Wouter Zeysen, Kërkues i Lartë në Institutin Evropian të Sindikatave (ETUI); si dhe Stavroula Demetriades, Menaxhere e Lartë e Kërkimeve në Eurofound.

Gjatë takimit, u nënvizuan tre shtylla kryesore për të përballuar sfidat aktuale dhe për të garantuar qëndrueshmëri për NVM-të: rëndësia e trajnimit të stafit duke minimizuar kostot për punëdhënësit; orientimi i qartë drejt transformimit digjital me fokus në përdorimin e teknologjisë për përmirësimin e proceseve të punës; si dhe fuqizimi i dialogut social për të mundësuar një bashkëpunim të ngushtë mes bizneseve, shoqatave, politikbërësve dhe punonjësve.

Workshop-i përmbylli një cikël të rëndësishëm aktivitetesh në kuadër të projektit “ValueFacturing SMEs”, duke theksuar domosdoshmërinë e një qasjeje të integruar për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të përballen me sfidat e tregut modern dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron transformimi digjital.
