Ecuria e projektit ADDUPT dhe konferenca përmbyllëse Europiane, partnerët mbajnë takimin e radhës
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në cilësinë e partnerit, mori pjesë në takimin e radhës të zhvilluar në kuadër të projektit ndërkombëtar ADDUPT. Takimi u fokusua në analizimin e ecurisë së deritanishme të projektit, si dhe në përgatitjet për Konferencën përmbyllëse Evropiane, e cila do të mbahet në fund të muajit nëntor në Malaga, Spanjë.
Në vijim të angazhimit të saj si partner, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Edukim, Përkujdesje dhe Trajnim (ACT Center), partnerët shqiptarë të projektit, do të organizojnë së shpejti edhe një sesion informues online, pas atij fizik, me fokus temën: “Metodat e Reja të Burimeve Digjitale të Mikromësimit.”

Projekti ADDUPT ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) dhe sektorit të gjelbër, përmes një programi të integruar që përfshin ëorkshop-e, burime digjitale mësimore, trajnime praktike dhe aktivitete ndërvepruese.
Nëpërmjet këtyre nismave, synohet rritja e kapaciteteve organizative dhe profesionale të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin në tregun e punës.