Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë konfirmon angazhimin në projektin “ENTAIL”
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë ka nënshkruar Deklaratën e Nderit për projektin ENTAIL – Entrepreneurship and Digital Learning for VET Centres in Albania and Kosovo, në kuadër të Erasmus +, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Me këtë akt, DHTIT riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional (VET) përmes sipërmarrjes dhe mësimdhënies digjitale, si dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky projekt vjen në vazhdën e angazhimit të Dhomës në një sërë nismash ndërkombëtare që synojnë modernizimin e arsimit profesional, si ADDUPT, RAPPORT, One Future dhe DERHE, ku DHTI ka qenë partner kyç në zhvillimin e metodologjive të reja, rritjen e cilësisë dhe përafrimin e kurrikulave me nevojat e tregut të punës.
Në kuadër të ENTAIL, Dhoma Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë do të jetë përgjegjëse për organizimin e aktiviteteve kombëtare që promovojnë sipërmarrjen digjitale, si dhe për angazhimin e biznesit vendas në procesin e lidhjes së arsimit profesional me tregun e punës.
Ky hap konfirmon rolin e DHTI si një partner i besueshëm në projekte ndërkombëtare dhe si një kontribuues i drejtpërdrejtë në përmirësimin e aftësive të të rinjve dhe inovacionit në Shqipëri.