Zhvillohet forumi i biznesit Shqipëri–Finlandë! Fokusi krijimi i urave të reja bashkëpunimi në sektorin e Minierave dhe Teknologjisë së Informacionit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Finnpartnership dhe Ambasadën e Finlandës, organizoi mw 7 tetor një forum biznesi me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e bashkëpunimit mes sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre finlandeze.
Fokusi i forumit ishte në dy sektorë me potencial të lartë zhvillimi: minierat dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit (ICT).
Në fjalën e saj përshëndetëse, Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, znj. Albana Laknori, theksoi rëndësinë e krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të dy vendeve.
“Ky forum synon të nxisë kompanitë finlandeze të shohin nga afër mundësitë e investimit dhe partneritetit me sipërmarrjet shqiptare. Marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes Shqipërisë dhe Finlandës po zhvillohen me ritme të mira, dhe synimi ynë është të eksplorojmë më tej potencialet e përbashkëta, të forcojmë bashkëpunimin mes dhomave të tregtisë dhe të gjejmë rrugë të reja për rritje ekonomike të qëndrueshme,” u shpreh znj. Laknori.
Një kontribut të rëndësishëm në realizimin e këtij forumi dha Ambasadorja e Finlandës, rezidente në Athinë, Shkëlqesia e Saj znj. Leena Pylvänäinen.

Gjatë fjalës së saj, Ambasadorja vuri në dukje nevojën për të shtuar përpjekjet e ndërsjella për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, të cilat aktualisht janë ende larg potencialit të tyre real.
Pas fjalëve përshëndetëse, pjesëmarrësit ofruan një pasqyrë të situatës në Shqipëri në sektorët në fokus të forumit.
Prezantimet nisën me znj. Anxhela Bushati, Drejtoreshë e Politikave të Promovimit të Biznesit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe vijuan me z. Tomi Kallanxhi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Online; znj. Sindi Zaimi, menaxhere projektesh pranë kompanisë Infosoft; si dhe z. Edmond Goskolli, Këshilltar i Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).
Pas përfundimit të diskutimeve, u zhvilluan takime B2B mes përfaqësuesve të bizneseve shqiptare dhe atyre finlandeze, duke krijuar hapësira konkrete për bashkëpunim të drejtpërdrejtë.
Forumi dëshmoi edhe një herë se dialogu i hapur dhe shkëmbimi i përvojave janë çelësi për të ndërtuar partneritete afatgjata dhe të qëndrueshme ndërmjet vendeve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mbetet e angazhuar për të mbështetur dhe lehtësuar këto iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.