Njihuni me lektorët tanë
Kush janë profesionistët që sjellin përvojën e tyre në trajnimet e DhTIT?
Pas bilancit të 22 trajnimeve dhe mbi 400 pjesëmarrësve në një vit, po ju njohim me disa prej lektorëve tanë dhe fushat ku ata kanë ndërtuar ekspertizën e tyre.
Në postimet e ardhshme do të njiheni me të tjerë profesionistë që bashkëpunojnë me DhTIT.
Arben Hasanaj — Specialist në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, Ministria e Financave
Arben Hasanaj ka përvojë të konsoliduar në legjislacionin tatimor, tatimet e korporatave, procedurat tatimore dhe TVSH-në. Ka ofruar konsulencë fiskale për kompani vendase dhe të huaja, duke trajtuar çështje të rimbursimit të TVSH-së, kontrolleve tatimore dhe proceseve gjyqësore. Prej vitit 2017 është aktiv si lektor në trajnime profesionale, ku sjell njohuri mbi ndryshimet ligjore dhe zbatimin e tyre në veprimtarinë e biznesit.
Duygu Berksoy — Themeluese e Mentor Brand dhe stratege e marketingut dhe rritjes së biznesit
Me mbi 30 vjet përvojë në komunikimin e marketingut dhe dizajn, Duygu Berksoy ka punuar me marka kombëtare dhe ndërkombëtare në pozicionimin strategjik dhe transformimin digjital. Në vitin 2006 themeloi Mentor Branding Works, kompani konsulence për strategjinë e markës, dizajnin dhe komunikimin. Përvoja e saj u shërben sipërmarrësve që kërkojnë të ndërtojnë një identitet të qartë për biznesin dhe të forcojnë praninë e tij në treg.
Flutura Shehi — Shefe e Sektorit të Procedurave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Flutura Shehi ka mbi 25 vjet përvojë në legjislacionin dhe procedurat doganore. Puna e saj përfshin orientimin e bizneseve mbi kërkesat dhe dokumentacionin për çdoganim, si edhe lehtësimin e procedurave të importit dhe eksportit. Si lektore në trajnime dhe tryeza teknike, ajo ndihmon sipërmarrjet dhe agjentët doganorë të kuptojnë e të zbatojnë kërkesat që lidhen me lëvizjen e mallrave.
Genc Çeli — Drejtor i Bordit të OEA-ve të Shqipërisë dhe President i Shoqatës Ballkanike të OEA-ve
Genc Çeli ka shërbyer në Administratën Doganore Shqiptare gjatë viteve 1992–2016, në pozicione nga oficer doganor deri në zëvendësdrejtor të përgjithshëm. Ka kontribuar në negociatat e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, në legjislacionin doganor dhe në procedurat teknike. Që nga viti 2020 punon si konsulent i pavarur në dogana, tregti dhe investime, duke sjellë në trajnime përvojën institucionale dhe njohjen e nevojave të operatorëve ekonomikë.
Hergys Suli — Profesionist dhe trajner në shitje dhe zhvillim biznesi
Hergys Suli ka përvojë në kompani si Vodafone, PLUS Communication dhe Balfin Group. Është angazhuar në rritjen e shitjeve dhe ndërtimin e partneriteteve B2B në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë bashkëpunime me Smartycom dhe Eurolab. Në trajnimet profesionale, ai sjell përvojën e punës me klientët dhe partnerët, me fokus te aftësitë që ndihmojnë ekipet të përmirësojnë rezultatet e shitjeve.
Ledio Milkani — Themelues dhe administrator i “Praktikë Juridike”, avokat dhe trajner
Ledio Milkani ka mbi 19 vjet përvojë si trajner dhe është avokat i licencuar që nga viti 2006. Ka punuar si ekspert ligjor dhe i marrëdhënieve të punës në institucione qendrore, përfshirë Ministrinë e Punës, dhe ka këshilluar shoqëri tregtare e organizata të punëdhënësve. Ka qenë pjesë e grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe, në vitin 2019, ekspert i angazhuar nga GIZ për vlerësimin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e BE-së për Kapitullin 19, “Punësimi dhe çështjet sociale”.
Seda Efsun — Partnere dhe trajnere në Mentor Works Consulting
Seda Efsun ndërthur studimet e avancuara në Turqi dhe Mbretërinë e Bashkuar me përvojën në kompani të mëdha dhe në mësimdhënie. Si partnere dhe trajnere në Mentor Works Consulting, ajo sjell përvojën e saj ndërkombëtare në mbështetje të profesionistëve dhe bizneseve në Shqipëri. Trajnimet e saj përqendrohen në lidhjen e strategjive me zgjidhje praktike dhe në zhvillimin e aftësive që u duhen ekipeve për të qenë më konkurruese.
Për t’u informuar mbi trajnimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, na kontaktoni në trajnime@cci.al.





