Zhvillohet trajnimi “Zhvillimi i aftësive digjitale për trajnerët e arsimit dhe formimit profesional” në kuadër të projektit RAPPORT
Përdorimi i teknologjisë në arsimin dhe formimin profesional kërkon trajnerë që dinë ta integrojnë atë në mësimdhënie në mënyrë efektive, të sigurt dhe të përgjegjshme. Me këtë fokus, më 30 shtator 2026 u zhvillua workshop-i “Developing Digital Skills for VET Trainers – Train-the-Trainers”, i udhëhequr nga DIMITRA Education & Consulting, në kuadër të projektit RAPPORT – RoadMap for improving the quality and responsiveness of VET – Theory and Practice, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Trajnimi trajtoi sigurinë digjitale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të të dhënave, aftësitë për të kuptuar dhe vlerësuar informacionin, si dhe përdorimin e mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale në praktikën e arsimit dhe formimit profesional. Vëmendje iu kushtua gjithashtu komunikimit dhe bashkëpunimit digjital, si edhe zgjidhjes së problemeve bazë teknike që trajnerët mund të hasin gjatë punës së tyre.
Përmes një qasjeje praktike dhe interaktive, workshop-i synoi të mbështesë kalimin nga të mësuarit e teknologjisë te përdorimi i saj si mjet trajnimi. Në qendër ishte aftësia e trajnerëve për t’i kthyer njohuritë digjitale në praktika që përmirësojnë procesin e të nxënit dhe pjesëmarrjen e kursantëve.
Si partnere e projektit RAPPORT, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mbështet zhvillimin e kompetencave të trajnerëve dhe përmirësimin e cilësisë së formimit profesional, në funksion të nevojave të tregut të punës dhe sipërmarrjeve.
Cikli i workshop-eve vijon më 7 tetor 2026, me fokus te aftësitë sipërmarrëse (“Entrepreneurial Skills”) dhe forcimi i kompetencave të trajnerëve në këtë fushë.

