Krijimi i urave të bashkëpunimit, kryetari i DHTIT-së, z.Jaka pret në takim ambasadoren e Vietnamit
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, priti në një takim pune Shkëlqesinë e Saj, Ambasadoren Jo-rezidente të Republikës Socialiste të Vietnamit në Republikën e Shqipërisë, znj. Pham Thi Thu Huong.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Vietnamit, si dhe identifikimi i mundësive për bashkëpunim midis komunitetit të biznesit të të dy vendeve.
Gjatë takimit, z. Jaka theksoi angazhimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për të krijuar ura lidhëse mes sipërmarrjeve shqiptare dhe vietnameze, duke promovuar investimet e ndërsjella, shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin teknologjik.

Në këtë kuadër, kryetari Jaka informoi se një delegacion biznesi shqiptar do të vizitojë Vietnamin në datën 15 nëntor, me qëllim zhvillimin e takimeve direkte me sipërmarrës vietnamezë dhe konkretizimin e mundësive për partneritete ekonomike.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe afrim më të madh ekonomik midis Shqipërisë dhe Vietnamit.
