23 shtator 2026 | Workshop-i “Green Skills of Trainers” në kuadër të projektit RAPPORT
Më 23 shtator 2026, u zhvillua workshop-i “Green Skills of Trainers”, në kuadër të projektit RAPPORT – RoadMap for improving the quality and responsiveness of VET – Theory and Practice, i financuar nga Bashkimi Evropian. Workshop-i u organizua nga ASNOR dhe u fokusua në zhvillimin e kompetencave të gjelbra dhe integrimin e qëndrueshmërisë në arsimin dhe formimin profesional.
Gjatë workshop-it u trajtuan tema si GreenComp dhe qëndrueshmëria si kompetenca transversale, vlerat, drejtësia dhe natyra në aktivitetet e trajnerëve, të menduarit sistemik dhe kritik, përshtatshmëria, ekonomia qarkulluese, praktikat e gjelbra në operacionet e përditshme, si edhe mënyrat se si këto qasje mund të transferohen në praktikën e VET-it.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua ushtrimeve praktike dhe diskutimeve mbi mënyrën se si trajnerët mund të lidhin konceptet e qëndrueshmërisë me situata reale të punës, duke identifikuar ndikimet e fshehura mjedisore dhe sociale dhe duke propozuar përmirësime konkrete në aktivitetet e përditshme.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (CCIT), si partnere e projektit RAPPORT, mori pjesë në këtë aktivitet duke vijuar angazhimin e saj në mbështetjen e zhvillimit të aftësive, përmirësimin e cilësisë së formimit profesional dhe forcimin e lidhjes mes VET-it dhe nevojave reale të tregut të punës.
Workshop-i përbën një tjetër hap në drejtim të forcimit të kapaciteteve të trajnerëve dhe promovimit të kompetencave të gjelbra si pjesë integrale e arsimit dhe formimit profesional.
Rrugëtimi vazhdon me workshop-in e radhës në kuadër të projektit RAPPORT, “Digital Skills of Trainers”, i cili do të zhvillohet më 30 shtator 2026. Shihemi në workshop-in e radhës!
