“Turqia e gatshme të investojë në bujqësi”! DHTIT dhe Dhoma Ekonomike e Antalias nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

“Turqia e gatshme të investojë në bujqësi”! DHTIT dhe Dhoma Ekonomike e Antalias nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Dhoma Ekonomike e Antalias nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e tregtisë dypalëshe, me fokus të veçantë në sektorët e bujqësisë dhe industrisë ushqimore.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është lehtësimi i shkëmbimit të njohurive dhe përvojës mes dy palëve, si dhe forcimi i ndërveprimit institucional ndërmjet 2 Dhomave.

Në këtë takim ishin të pranishëm Kryetari i Dhomës Ekonomike të Antalias, z. Ali Çandir; Ambasadori i Turqisë në Shqipëria, Shkëlqesia e tij, z. Tayyar Kagan Atay, si edhe një delegacion biznesi me rreh 50 sipërmarrës nga Turqia dhe përfaqësues shtetëror.

“Forcimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimet, promovimi i zhvillimit në aktivitetet e përbashkëta, misionet tregtare, forumet, konferencat, janë misioni i punës tonë të përbashkët me sipërmarrjen Turke. Shkëmbimet tregtare midis vendeve tona janë të qëndrueshme, ndërkohë që ekzistojnë mundësi mjaft të mëdha për zgjerimin e tyre”, u shpreh, z. Bashkim Sykja, këshilltari ekonomik i kryetarit të DHTIT, z.Nikolin Jaka.

Çandır theksoi se Turqia është e gatshme të investojë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, ndërsa ftoi sipërmarrësit shqiptarë të shqyrtojnë mundësitë për eksport drejt Turqisë, pasi ky vend ofron një treg shumë premtues.

“Bashkëpunimi ekonomik me Antalian nuk është në nivelin e duhur, prandaj kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për ne, investitorët tanë janë shumë të interesuar dhe janë të gatshëm që të nisin nga puna dhe është shumë e mundur që të importojmë produktet e qumështit e mishit, në bujqësi,  ne jemi të gatshëm që të investojmë në gjithçka që të bëjë më bujqësinë. Nga ana tjetër, prodhimtaria e Shqipërisë mund të eksportohet në Turqi sepse atje ka treg të mirë”, deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë së Antalias, z,Ali Çandir.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Antalias, z,Ali Çandir
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Antalias, z,Ali Çandir

Nga ana tjetër, ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij z. Tayyar Kagan Atay, u shpreh se Shqipëria është në rrugën drejt integrimit europian, dhe kjo duhet parë si një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Do përpiqemi që të bindim sa më shumë biznese të investojnë në Shqipëri në këtë ambient miqësor. Prespektiva europiane e Shqipërisë është shumë e mirë dhe urojmë që në 20230 të jenë në BE dhe kjo do të thotë që ne do kemi një mik në BE dhe nëse vijojmë kontaktet që tani do jetë më mirë”, përfundoi ambasadori i Turqisë në Shqipëria, Shkëlqesia e tij, z. Tayyar Kagan Atay.

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij z. Tayyar Kagan Atay
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij z. Tayyar Kagan Atay

Takimi u përmbyll me sesione B2B ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre turke të pranishme në aktivitet.

Ky takim është një tregues se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar që sjellin vlera konkrete për ekonominë shqiptare dhe rritje të qëndrueshme për sipërmarrjen vendase.

Share this post