Takim midis partnerëve të projektit “Partneriteti i Arsimit Profesional”

Takim midis partnerëve të projektit “Partneriteti i Arsimit Profesional”

Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë u zhvillua një takim midis partnerëve të projektit “Partneriteti i Arsimit Profesional”, ku u diskutua mbi ecurinë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për arritjen e objektivave.

U shqyrtuan problematikat e hasura nga sipërmarrjet me aktivitet në fushën e saldimit dhe konstruksioneve metalike, të raportuara gjatë vizitave që DHTI-Tiranë realizoi në muajin prill me biznese të ndryshme. Në fokus të këtyre vizitave ishte informimi mbi mundësitë e kualifikimit të punonjësve nëpërmjet trajnimeve sipas standardeve të mundësuara nga Oda e Zejtarisë së Dortmundit dhe shkollës profesionale “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen.

Ky takim solli në fokus dhe diskutimet mbi hapat e mëtejshëm që partnerët e projektit në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin do të realizojnë në muajt pasardhës, si hartimin e marrëveshjeve të përbashkëta dhe strategjitë e mundshme që do të shërbejnë në forcimin e Arsimit Profesional në Shqipëri.

Në përfundim të analizës së nevojave të sipërmarrjeve, partnerët konceptuan një strategji që do të mundësojë rritjen e kualifikimit dhe specializimit të punonjësve të fushave profesionale.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues nga shkolla profesionale “Shën Jozefi Punëtor” Rrëshen, z. Luigj Gjergji dhe z. Umberto Boero, si dhe përfaqësuesi i Odës së Zejtarisë në Dortmund, z. Franc Musolli.

Share this post