Projektet Erasmus+, DHTI-Tiranë merr pjesë në takimin me përfaqësuesit e Agjencisë Ekzekutive Evropiane për Arsim dhe Kulturë (EACEA)
Më 4 dhjetor 2025, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë mori pjesë në takimin zyrtar me përfaqësuesit e Agjencisë Ekzekutive Evropiane për Arsim dhe Kulturë (EACEA): z. Pavol Krempasky, z. Enzo Cherichi.
Të pranishëm në takim ishin edhe z. Besnik Kadesha, përfaqësues i Zyrës së Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe znj. Elona Saraci, përfaqësuese e Zyrës Erasmus+ në Shqipëri.

Në këtë mbledhje morën pjesë të gjithë partnerët shqiptarë që kanë fituar projektet e programit Erasmus+ për Ndërtimin e Kapaciteteve 2025–2026. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, si një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të këtij programi numëron ndër vite disa projekte të suksesshme në portofolin e saja. Aktualisht menaxhon 7 prej tyre.
Gjatë takimit u prezantuan në total 16 projekte, ku z. Pavol Krempasky shpjegoi udhëzimet dhe drejtimet kryesore për programin Erasmus+ 2026. Nga ana tjetër, përballë të pranishmëve, përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian u njohën nga afër me progresin e arritur për vitin 2025.

Ky takim shërbeu jo vetëm për monitorimin e rezultateve dhe progresit, por edhe për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Ai krijoi një hapësirë të re për ndërtimin e rrjeteve, si dhe për hapjen e mundësive të reja për partneritete të ardhshme me institucionet shqiptare.