Delegacioni shqiptar i biznesit vizitë zyrtare në Vietnam! Z.Jaka: Kemi potencial për bashkëpunim

Delegacioni shqiptar i biznesit vizitë zyrtare në Vietnam! Z.Jaka: Kemi potencial për bashkëpunim

Një delegacion biznesi nga Shqipëria, i udhëhequr nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka, zhvilloi një vizitë zyrtare në qytetin Ho Chi Minh, Vietnam.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga përfaqësues të bizneseve nga sektorë të ndryshëm, përfshirë: peshkimin, industrinë përpunuese të lëndëve të para, agro-përpunimin?, fasonerinë, industrinë e kafesë, shëndetin dhe bukurinë, ndërtimin dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (ICT).

Delegacioni u prit nga z. Tran Ngoc Liem, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Vietnamit (VIAC). Gjatë vizitës, përfaqësuesit zhvilluan takime me biznese lokale me qëllim krijimin e mundësive të reja për partneritete.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka dhe z. Tran Ngoc Liem, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Vietnamit (VIAC)

Nikolin Jaka u shpreh se takimi ka rezultuar tejet frytdhënës, duke theksuar se bizneset shqiptare kanë zhvilluar një sërë takimesh B2B me potencial të qartë për t’u finalizuar në kontrata konkrete bashkëpunimi.

“Delegacioni që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë  ka organizuar, është një delegacion me interesa të drejtpërdrejta. Ne kemi patur kontakte jo vetëm në takimet që u organizuan në B2B në Dhomën e Tregtisë në Vietnam, por edhe gjatë ditëve të qëndrimit këtu, të cilat kanë qenë të orientuara me interesa konkrete që jam i bindur që do të shkojnë përfundimin dhe lidhjen e kontratave mes palëve”, u shpreh z. Jaka.

Delegacioni shqiptar i biznesit në Vietnam

Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm për krijimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Vietnamit dhe është një tregues i  përkushtimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës për të mbështetur bizneset shqiptare në hapat drejt zhvillimit.

Share this post