Deklaratë zyrtare

Deklaratë zyrtare

Tiranë, më 7 gusht 2025

Deklaratë zyrtare

Së pari, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë shpreh ngushëllimet më të thella familjes së punonjësit që humbi jetën tragjikisht gjatë punimeve në kuadër të një projekti kulturor në Shëngjin, realizuar me mbështetjen e Bashkisë Lezhë. Humbja e jetës së një punonjësi në vendin e punës është një ngjarje tepër e rëndë, që kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi, për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

Në këtë kontekst, ndalur te përgjegjësit, DHTI-Tiranë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me mënyrën e ndalimit dhe trajtimit të sipërmarrësit z. Zef Shtjefni nga organet ligjzbatuese, konkretisht Prokuroria dhe Policia e Qarkut Lezhë. Z. Shtjefni, aksioner në një prej kompanive më të rëndësishme të sektorit të ndërtimit dhe pjesë e disa bizneseve të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj, është ndaluar në kundërshtim me procedurat ligjore dhe pa u respektuar garancitë kushtetuese që mbrojnë qytetarët nga veprimet arbitrare.

Ndalimi i tij, me kërkesë nga Prokuroria e Qarkut Lezhë, është rrëzuar nga Gjykata e Qarkut Lezhë, e cila me vendimin nr. 2071-374, datë 22 korrik 2025, e ka cilësuar të paligjshëm ndalimin në flagrancë.

DHTI-Tiranë vlerëson këtë vendim të gjykatës si një hap në drejtimin e duhur dhe inkurajon që të njëjtat standarde ligjore të zbatohen në vijim, përfshirë heqjen e masës së arrestit shtëpiak, që vijon të rëndojë mbi z. Shtjefni, pavarësisht mungesës së përgjegjësisë direkte.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë ngre me shqetësim fenomenin e ndalimit të menjëhershëm të pronarëve dhe aksionarëve nga strukturat e hetimit, pa një verifikim paraprak të rolit të tyre në ngjarje apo funksioneve që ata ushtrojnë brenda kompanive. Ky është një fenomen në rritje, i cili dëmton rëndë sigurinë juridike dhe besimin e sipërmarrësve në sistemin e drejtësisë dhe ligjzbatimit në vend. Ky lloj veprimi krijon precedentë të rrezikshëm dhe cenon klimën e investimeve, sidomos për sipërmarrësit e huaj që kërkojnë stabilitet dhe garantim të të drejtave në një shtet ligjor.

Rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon jo vetëm përmirësimin e legjislacionit, por mbi të gjitha zbatimin rigoroz, të drejtë dhe proporcional të ligjit nga institucionet përgjegjëse. Institucione si Policia, Prokuroria dhe Gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të përgjegjshme, për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe biznesit në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Në këtë kuadër, DHTI-Tiranë kërkon:

  • Një hetim të plotë, të pavarur dhe transparent mbi mënyrën e ndalimit dhe trajtimit të z. Zef Shtjefni si dhe monitorimin e çështjes nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
  • Marrjen e masave për të ndaluar praktikat abuzive që cenojnë të drejtat themelore të sipërmarrësve në Shqipëri.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e lirisë ekonomike, respektimin e të drejtave të sipërmarrësve dhe forcimin e shtetit të së drejtës si themel i një Shqipërie Evropiane dhe e drejtë për të gjithë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë

Share this post