“Bashkë për të afruar biznesin Shqipëri–Spanjë”, kryetari i DHTIT, z. Jaka pret në takim ambasadorin e Spanjës, z. Cremades
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij z. Gabriel Cremades.
Takimi u zhvillua në ambientet e DHTIT-së, në një atmosferë bashkëpunimi dhe me vullnet të ndërsjellë për të nxitur më tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Gjatë fjalës së tij, z. Jaka theksoi nevojën për të forcuar raportet ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se këto marrëdhënie duhet të jenë në të njëjtin nivel me ato politike. Ai vlerësoi praninë aktuale të disa bizneseve spanjolle në Shqipëri, ndonëse jo në nivelet e dëshiruara, dhe tha se përbëjnë një model suksesi dhe besueshmërie për sipërmarrjet e tjera spanjolle që mund të shohin Shqipërinë si destinacion investimesh.

Nga ana e tij dhe Ambasadori Cremades nënvizoi se sipërmarrja spanjolle nuk ka ende një prezencë të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por shtoi se ekziston një potencial i madh për të avancuar në këtë drejtim. Ai renditi disa prej sektorëve me interes të lartë për investime, si infrastruktura, turizmi, agrobiznesi dhe energjia e rinovueshme.

Në përgjigje, z. Jaka shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e plotë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes sipërmarrjes shqiptare dhe asaj spanjolle. Z. Jaka informoi gjithashtu se DHTIT ka një përfaqësues zyrtar në Madrid, z. Eduard Hyseni, si dhe një zyrë përfaqësimi në Palma de Mallorca, duke krijuar kështu urat e nevojshme për afrimin dhe lehtësimin e bashkëpunimit dypalësh.
