6 ditë trajnim intesiv! Përmbyllet me sukses “WIFI Austria”, bizneset gati për B2B në Vjenë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë në bashkëpunim me homologen e saj në Vjenë, Austri, përmbyllën me sukses një tjetër edicion të një prej trajnimeve më prestigjioze dedikuar biznesit dhe stafeve të tyre të punës, “WIFI Austria”.
Në 6 ditë, nga datat 10 – 12 qershor 2025 dhe 16-18 qershor, pjesëmarrësit patën mundësi për t’u trajnuar nga 2 profesorët e mirënjohur, z. Maximilian Födinger dhe z. Victor Dedic.
Në modulin e parë, me profesor z. Födinger pjesëmarrësit u trajnuan mbi “Agile Performance Check & Agile Strategy Development” . Ky modul i parë u fokusua në përmirësimin e aftësive për menaxhim strategjik dhe zhvillim performance, duke përdorur qasje “agile” – një domosdoshmëri për liderët e kohës moderne që kërkojnë të jenë të qëndrueshëm, fleksibël dhe të orientuar drejt rezultateve.

Në modulin e dytë, nën drejtimin e profesor z. Dedic, u diskutua mbi “International Marketing – Business Communication & Negotiations”. Ky modul i avancuar kishte si qëllim të rriste kapacitetet e sipërmarrësve dhe profesionistëve shqiptarë në: Marketingun ndërkombëtar; Komunikimin efektiv në biznes; Aftësitë e negociimit me partnerë të huaj.

Programi përmbyllet me takime “kokë më kokë” (business-to-business- B2B) në Vjenë, ku bizneseve shqiptare u krijohen mundësi për lidhje të reja bashkëpunimi me kompani austriake, duke hapur rrugën për nënshkrimin e kontratave dhe bashkëpunimeve afatgjata.
Pjesëmarrësit do të përfitojnë gjithashtu edhe certifikata zyrtare nga WIFI Austria, të njohura ndërkombëtarisht dhe të bazuara në standardet e Ministrisë së Ekonomisë së Austrisë.

Ky trajnim është pjesë e programit që prej vitit 2009 bashkëorganizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe homologia e saj në Vjenë, që promovon bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë përmes shkëmbimit të njohurive, kontakteve direkte dhe partneriteteve të qëndrueshme.