DHTIT organizon forum biznesi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, adresohen problematikat e sipërmarrjes

DHTIT organizon forum biznesi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, adresohen problematikat e sipërmarrjes

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë zhvilloi të martën (25.11.2025) një forum biznesi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Në qendër të diskutimeve ishte përfshirja aktive e biznesit në dialog të drejtpërdrejtë me Drejtorinë e Tatimeve, me synim adresimin e problematikave që shqetësojnë sipërmarrjet, sqarimin e paqartësive dhe identifikimin e zgjidhjeve praktike e të zbatueshme.

Kryetari i DHTIT-së, z. Nikolin Jaka, theksoi rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla, ku zëri i biznesit të dëgjohet dhe të pasqyrohet realisht në politikat fiskale dhe administrative. Ai nënvizoi se vetëm përmes komunikimit të hapur dhe të vazhdueshëm mund të forcohet besimi mes institucioneve dhe sektorit privat.

Jaka propozoi gjithashtu zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta midis DHTIT-së dhe Drejtorisë së Tatimeve, me qëllim mbështetjen e sipërmarrjes në rritjen e kapaciteteve profesionale të burimeve njerëzore dhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit fiskal.

Kryetari i DHTIT-së, z. Nikolin Jaka

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Ilir Binaj, shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, duke theksuar angazhimin e institucionit për të ofruar më shumë transparencë, shërbime më efikase dhe qasje më miqësore ndaj biznesit.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Ilir Binaj

Takimi kulmoi me një dialog të hapur mes biznesit dhe ekspertëve, ku sipërmarrësit paraqitën pyetjet dhe shqetësimet e tyre, ndërsa përfaqësuesit e Tatimeve dhanë sqarime dhe përgjigje konkrete, duke kontribuar në një komunikim më transparent dhe konstruktiv.

Ky takim është një tregues i qartë i angazhimit të DHTIT-së për të qëndruar në shërbim të sipërmarrjes, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe dialogu që ndihmojnë në adresimin e nevojave dhe sfidave të biznesit.

Foto nga takimi

Share this post