3 ditë festë dhe shije shqiptare në zemër të Tiranës! Përmbyllet me sukses edicioni i radhës i “Tirana Food & Fest”
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë ka përfunduar me sukses edicionin e radhës të panairit “Tirana Food & Fest”, i cili u zhvillua në datat 10-12 tetor në zemër të kryeqytetit, në Sheshin “Skënderbej”.
Për tre ditë me radhë, panairi mblodhi së bashku prodhues vendas, artizanë, sipërmarrje të vogla dhe të mesme, duke ofruar një platformë të hapur për promovimin e produkteve shqiptare dhe për forcimin e lidhjes midis biznesit dhe konsumatorit, atij vendas dhe të huaj.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka, u ndal te një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot biznesi shqiptar, integrimi në Bashkimin Europian.
Sipas z. Jaka, Shqipëria duhet të përshpejtojë përpjekjet për të qenë një vend konkurrent në tregun e përbashkët europian, duke garantuar cilësi, standarde dhe kapacitete të qëndrueshme prodhimi. Ai theksoi rëndësinë që ka mbështetja ndaj prodhuesve vendas dhe përafrimi me politikat ekonomike të BE-së, në mënyrë që produktet shqiptare të jenë të pranueshme dhe të kërkuara në tregjet ndërkombëtare.
“Shqipëria duhet të hyjë në Bashkimin Europian jo si numër, por me potencialin që produktet shqiptare të bëhen pjesë e konsumatorit europian,” – u shpreh Jaka.
Ndërkohë, zv.ministri i Bujqësisë, z. Dhimitër Kote, nënvizoi se viti 2026 do të sjellë një qasje të re për bujqësinë, me më shumë mbështetje dhe orientim për fermerët dhe bizneset.
“2026 do të ketë një mbështetje tjetër, duke adresuar realisht nevojat që kanë fermerët dhe bizneset. Do të ketë një garë të shpejtë për të arritur aty ku duhet,” – tha Kote.
Në të njëjtën linjë, nënkryetari i Dhomës së Tregtisë, z. Blend Sulaj, vuri theksin te rëndësia e promovimit të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
“Kemi nevojë të promovojmë produktet tona, sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme,” u shpreh Sulaj.
Për tre ditë me radhë, “Tirana Food & Fest” nuk ishte vetëm një panair promovues, por edhe një festë e hapur për të gjithë, ku qindra qytetarë, nga të gjitha grupmoshat, shijuan ushqimin, muzikën dhe aktivitetet e ndryshme.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë do të vijojë angazhimin e saj për të organizuar panaire të këtyre përmasave, me qëllim forcimin e lidhjes mes biznesit dhe konsumatorit, si dhe promovimin e prodhimeve vendase.