Shqipëria Punon Tokën – Konsumo Shqip Panairi i Traditës

Shqipëria Punon Tokën - Konsumo Shqip Panairi i Traditës

Shqipëria Punon Tokën – Konsumo Shqip Panairi i Traditës

Me rastin edhe të 73 vjetorit të Ditës së Çlirimit është çelur sot në “Sheshin Nënë Tereza” në Tiranë, panairi më i madh i produkteve bujqësore vendase, “Shqipëria Punon Tokën – Konsumo Shqip”. Më shumë se 520 fermerë e biznese që aktivitetin e tyre e kanë përqendruar te agrobujqësia, kanë prezantuar prodhimet e tyre bio dhe autentike, ndërkohë që qytetarët kanë mundësi të blejnë dhe të shijojnë produkte cilësore.

Panairi është vizituar nga kryeministri, Edi Rama, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave, bankave që kanë fokus të tyre mbështetjen e bujqësisë. Pasi kanë vizituar nga afër stendat e shumta të këtij panairi, kryeministri, Edi Rama dhe drejtuesit e tjerë që e shoqëronin kanë zhvilluar edhe një bashkëbisedim me fermerë dhe biznesmenët pjesëmarrës në këtë event.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mbështetjen për produktet vendase si një mundësi për të gjeneruar edhe zhvillimin lokal të ekonomisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se bujqësia përballet në këto kohë me tre sfida, sikurse është ajo urbane, kulturore dhe ajo infrastrukturore.

“Besoj që është problem kulturor dhe sfidë për të gjithë ne. Shumë vende në botë vuajnë nga ajo që quhet ksenofobi, urrejtje për gjërat e huaja, ne në Shqipëri kemi problem komplet tjetër, kemi ksenofili, një dashuri të pashoqe për çdo gjë që vjen nga jashtë shtetit, kjo do të thotë edhe për mallrat sepse mendojmë se është më cilësor, më i mirë ndërkohë po e mbipaguajmë një mall që nuk justifikon detyrimisht diferencën në cilësi sa është diferenca në çmim. Ka ardhur koha që gjithë këtë dashuri për mallin e huaj ta analizojmë pak. Unë besoj se nëse ne edhe kulturalisht do të ishim të predispozuar që t’i jepnim prioritet një malli të vendit ku vërtet ndoshta, le të mos jemi naiv, mund të mos këtë të njëjtën cilësi, por diferenca është aq e paktë sa e justifikon çmimi shumë më i  ulët i mallit të vendit”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë vlerësoi se tashmë Tirana ka dhënë shembujt e parë të orientimit drejt ekonomisë vendase me qëllim rritjen e potenciale.  Kreu I Bashkisë përmendi disa prej zonave të kryeqytetit të cilat kanë potenciale të mëdha të zhvillimit të bujqësisë dhe që falë orientimit të duhur dhe mirëmenaxhimitkanë rritur edhe ekonominë vendase. “Sot kemi zonën e Baldushkut e cila jeton ekskluzivisht me gjelin e detit, falë një fushate të madhe të marketingut që do të fillojë prapë së shpejti. Zona e Shëngjergjit po jeton fare mirë me domaten e zezë e cila ka një cikël prodhimi pas domates normale që vjen nga serat e Myzeqesë. Zona e Ndroqit po jeton fare mirë me vajin e ullirit. Shumë zona të tjera siç është zona e Pëllumbasit në gjithë atë segmentin Bërzhitë – Krrabë ku janë disa nga shpellat kryesore, ku po bëjnë disa hoteleri bazë dhe që kanë gërshetuar prodhimin bujqësor me kulinarinë”, shtoi ai.

Veliaj theksoi se reforma territoriale, jo vetëm që ka rritur sipërfaqen, por në të njëjtën kohë ka krijuar një sfidë të re për menaxhimin e rritjes së popullsisë. “ Së pari sepse reforma e re territorial I ka zmadhuar bashkitë. Kur them është problem urban , është sepse ne në gjendjen civile në Tiranë çdo ditë marrim një raportim se sa veta kanë transferuar rezidentë në Tiranë. Mesatarisht në Tiranë transferohen 70 vetë në ditë. Pra për qytetet, për zonat urbane të qyteteve po bëhet një sfidë e vërtetë menaxhimi I kësaj rritje të popullsisë. Por unë besoj se nga problem kjo mund të kthehet në potencial. Dhe disa nga shembujt që ne kemi folur dhe që mund t’i potencojmë më shumë, ka të bëjë me disa histori suksesi që ne I kemi parë dhe në këtë mikrokozmosin tonë të Tiranës, që le të themi nuk është  Myzeqeja, nuk është Devolli, pra nuk është një zonë që ka reputacion për bujqësi, megjithatë po jetohet mirë nëse këto gjëra po gërshetohen”, deklaroi Veliaj.

Në total në këtë panair reklamojnë produktet e tyre 459 fermer dhe biznese të fushës së agrobujësisë të shtrira në 449 tavolina. Krahas tyre në këtë panair janë dhe 61 stenda të tjera që përfaqësojnë shoqata të ndryshme që përfaqësojnë biznese të fushave të ndryshme si blegtoria, vajin e ullirit, verës etj. Ndërkohë që Bashkia Tiranë ka përfaqësimin më të madh me 71 fermerë dhe biznese dhe 70 stenda, ku janë reklamuar produktet bujqësore tipike të zonës së Tiranës.

 

Share this post