Propozimet e DHTIT dhe Shoqatave të Biznesit për Paketën Fiskale 2019
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë përbëhet nga anëtarë dhe Shoqata Biznesi që përfaqësojnë të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike dhe sektorët specifikë brenda tyre. Si gjithmonë, ne e kemi konsideruar hartimin e paketës fiskale si një vendimmarrje e cila ndikon në ecurinë dhe zhvillimin e veprimtarisë së sektorit privat. Por nga ana tjetër ne e vlerësojmë shumë edhe stabilitetin e financave publike, i cili arrihet nëpërmjet përmirësimit të administrimit fiskal dhe rritjes së performancës fiskale nga ana e bizneseve. Në këtë këndvështrim ne angazhohemi për rritjen e formalizimit dhe uljen e evazionit fiskal nga anëtarët e Dhomës tonë dhe do të kërkonim edhe një sjellje etike dhe profesionale nga ana e administratës tatimore të bazuar në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Nga ana tjetër ne kemi ndërmarrë një analizë të thelluar të politikave fiskale dhe bazuar në përfundimet e saj më poshtë janë bërë një sërë propozimesh për adresimin në paketën fiskale 2019 të shqetësimeve dhe pengesave që hasin bizneset.
A. Kërkesa:
- Rimbursimi automatik i TVSH-së së paguar tepër pas kalimit të afatit 30 dhe 60-ditor si dhe vendosja e parimit universal për TVSH në çdo faturim, duke rimbursuar edhe TVSH-në për ato që deri tani kanë qenë përjashtime.
- Të rishkruhet udhëzimi TVSH-së duke u organizuar sipas strukturës së ligjit, për të mënjanuar konfuzionin e krijuar gjatë zbatimit të tij.
- Të rregullohet kategorizimi si subjekte të biznesit të vogël për të gjitha ato subjekte që kanë një xhiro deri në 10 milion lekë dhe të sanksionohet heqja e detyrimit të tyre për të përgatitur pasqyra financiare dhe mbatja prej tyre e kontabilitetit të thjeshtuar “Cash basis”.
- Të shkrihen strukturat e Hetimit Tatimor si një hallkë jo produktive dhe abuzive që dublon dhe deformon sistemin e kontrollit tatimor. Bazuar në eksperiencat më të mira, mund të konsidrohet që kjo të jetë një strukturë inteligjence fiskale pa autoritet ekzekutiv dhe marrëdhënie me biznesin.
- Të bëhet një amnisti fiskale e përgjithshme, e cila të bazohet në deklarimin personal të individëve dhe bizneseve, garantimin e privatësisë, mbrojtjen nga mosdeklarimet apo deklarimet e gabuara në të kaluarën dhe ndërprerjen e kontrolleve tatimore për periudhat e kaluara për të cilat janë bërë deklarime të bazuara mbi amnistinë.
B. Propozime për Ndryshime në Politikat Fiskale:
- TVSH të ketë një prag zero, pra të gjithë të përfshihen në TVSH. Por deri në një qarkullim 10 milionë lekë të reja, aplikimi i TVSH-së të ketë efekte financiare zero, si në rimbursim ashtu dhe në pagesa. (Pra përjashtimi nga TVSH për subjektet që kanë deri në 10 milionë lekë xhiro, por që janë të detyruar që të marrin dhe dorëzojnë fatura me TVSH në shitjen e mallit të tyre). Për këtë kategori biznesi është menduar të aplikohet taksa fikse që do të jetë 1% e qarkullimit tregtar. Në rastin konkret të përjashtohen nga kjo taksë komisionerët dhe agjencitë që punojnë për të tretët.
- Të ketë një taksë luksi, që është për të gjitha rezidencat mbi 200 metra2 dhe në vlerë mbi 300 mijë euro në bregdetin shqiptar. Kjo taksë të jetë 500 lekë të reja për metër2 në vit.
- Norma e tatimit mbi pagat të jenë si vijon:
- Për pagat deri 35.000 lekë/muaj: 0%,
- Për pagat mbi 35.000 – 335,000 lekë/muaj: 10%,
- Për pagat mbi 335,000 lekë/muaj: 20%,
4. Tatim fitimi progresiv për korporatat:
- Për kompanitë deri në 200 milion lekë apo 2 milion dollarë fitim i realizuar: 15%
- Për kompanitë nga 200 milion në 400 milion lekët fitim i realizuar: 20%
- Për kompanitë mbi 400 milion lekët fitim i realizuar: 30%
5. Ndërtimi
- Taksa e infarastrukturës nga 8% e çmimit të shitjes të jetë 5% dhe kjo të paguhet me këste (30 % në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit, 30% në përfundimin e karabinasë dhe 40% në çastin e marrjes së lejes së shfrytëzimit).
- Taksa 3% për banesat sociale të hiqet. Ta përkufizojmë si taksë solidariteti dhe të mos jetë vetëm për ndërtuesit, por për të gjithë sipërmarrjen shqiptare dhe të jetë 1% e fitimit jo e detyrueshme.
- Taksa e pronës për apartamentet dhe njësitë e destinuara për shitje të mos aplikohet, pasi janë mallra dhe produkte të destinuara për shitje, të njëjta me çdo prodhim të bizneseve të tjera.
- Të rishihet dhe të mos rifutet akciza për zhavorrin bituminoz sepse është një taksë që shtohet dhe rrit jashtëzakonisht kostot, pasi qeveria pretendon që kjo taksë të jetë 2 mijë lekë për ton
6. Transporti rrugor
- Të zgjerohet zbatimi i normës së reduktuar prej 6% për pagimin e TVSH-së për Transportin Publik.
7. Ulje të taksës së pasurisë për bizneset nga 0.5% në 0.3% dhe propozojmë që për magazinat me sipërfaqe të mëdha për të gjitha ndërmarrjet e përpunimit apo të prodhimit apo fasonerinë, kjo taksë të jetë 0.05%.
Për të gjitha propozimet e mësipërme, kemi një material më të zgjeruar dhe me argumentime për secilin prej tyre.