Njoftim për shtyp

Njoftim për shtyp

Njoftim për shtyp

Event ndërgjegjësues me temë “Mjetet për zhvillimin e bioekonomisë”

7 Qershor 2019 – Vlorë

Të premten, më 7 Qershor 2019, në ambjentet e Qendrës së Transferimit Teknologjik Bujqësor në Vlorë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë organizoi një Event ndërgjegjësues  me temë “Mjetet për Zhvillimin e Bioekonomisë”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të bizneseve nga sektori i prodhimit të vajit të ullirit dhe nga Qendra e Transferimit Teknologjik. Ky event erdhi në kuadrin e projektit “BIO-ECOnomy Research Driven Innovation” me akronim “BIOECO – R.D.I”. Projekti mbështetet nga Programi Adrion Interreg financuar nga Fondi Evropian për Zhvillim Rajonal dhe Fondi IPA II, ku Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë merr pjesë si Përfituese Projekti.

Qëllimi kryesor i këtij eventi ishte propagandimi i idesë së projektit dhe ndërgjegjësimi i pjesëmarrësve mbi mjetet e rëndësishme që do të gjenerohen nga “Plani i Veprimit” në kuadër projekti.

Znj. Viola Xhindi, Drejtore e Departamentit të Projekteve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përshëndeti të pranishmit dhe theksoi angazhimin e Dhomës në një projekt të tillë me qëllim mbështetjen e zhvillimit të bioekonomisë për sektorin e prodhimit të vajit të ullirit, me fokus  bizneseet ekzistuese dhe ato të reja.

Më pas, znj. Elida Boshnjaku, Koordinatore e projektit BIOECO-R.D.I, prezantoi idenë e projektit,  përshkroi dhe situatën aktuale të bioekonomisë në Shqipëri dhe përmendi sfidat me të cilat përballen bizneset e sektorit me menaxhimin e biomasës dhe rëndësia e zhvillimit të nënprodukteve inovative me bazë biomasën.  Në vijim të prezantimit, znj. Boshnjaku vuri theksin në “Planin e Veprimit” si një mjet i rëndësishëm që do të ofrojë: këshillim, mësim të ndërsjelltë, seminare, njohuri dhe transferim të teknologjisë, praktikat më të mira, rrjetëzim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, mundësi bashkëpunimi etj, me synim qasjen nga bizneset të një modeli për ekonominë qarkulluese.

Më pas fjalën e mori drejtoresha e Qendrës për Transferimin Teknologjik të Bujqësisë – Vlorë, znj. Aulona Veizi e cila përgëzoi projektin dhe shprehu interesin dhe gatishmërinë e institucionit të saj për të bashkëpunuar për një projekt të tillë, për të mbështetur dhe nxitur kuptimin e konceptit të bioekonomisë dhe integrimin e tij në biznese. Edhe pjesëmarrësit e pranishëm shfaqën interes për temën, duke bërë pyetje dhe dhënë gjithashtu këndvështrimin e tyre.

Për çdo informacion në lidhje me projektin dhe veprimet e tij, lutemi të kontaktoni znj. Elida Boshnjaku, Tel. +355 (0) 45 800 936, e-mail: elida_boshnjaku@cci.al

Share this post